Muhamet Bytyqi, njohës i qeverisjes lokale, në emisioni N’Pult me Resim Morina, ka komentuar fushatën për zgjedhjet lokale të së dielës, duke theksuar se ajo ka qenë më passive në krahasim me katër ose tetë vitet e kaluara.
Sipas Bytyqit, gara zgjedhore dikur ishte më e ashpër, ndërsa tani ka mungesë energjie dhe entuziazmi. Ai nënvizon se kjo pasivitet mund të jetë pasojë e izolimit ndërkombëtar dhe krizës ekonomike që po përjeton vendi.
Izolimi ndërkombëtar dhe mungesa e institucioneve ndikojnë negativisht
Bytyqi gjithashtu theksoi se ky izolim ka sjellë edhe pasoja të rënda në nivel ekonomik dhe politik. Inflacioni i lartë dhe rënia ekonomike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ai mendon se qytetarët duhet të kuptojnë se përgjegjësia për këtë situatë është te qeverisja qendrore, e cila ka dështuar të krijojë kushte për zhvillim.
“Mund të ketë një reflektim në nivel lokal për këtë izolim ndërkombëtar, ekonomik, dhe rënien ekonomike. Inflacioni i lartë ka ndikim të drejtpërdrejtë. Mendoj se do ishte e dobishme që qytetarët të kuptojnë se faji është te qeverisja qendrore”
“Mungesa e institucioneve ka krijuar një hendek shumë të madh. Kjo, më së shumti, i dëmton qytetarët dhe ekonominë. Shumë investitorë kanë dilema, a të vijnë apo jo të investojnë në një vend ku qeveria është e dobët dhe nuk ka institucione funksionale” /TV Arbëria