Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Debati për Prishtinën” – Afrim Kasolli: Ja si mirëmbahet kultura e pabarazisë gjinore në debatet politike

“Debati për Prishtinën” – Afrim Kasolli: Ja si mirëmbahet kultura e pabarazisë gjinore në debatet politike

Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar pas përjashtimit të disa kandidatëve nga debati për Prishtinën në emisionin “Debat Plus”, duke vënë theksin te mungesa e barazisë dhe përfaqësimit në garën për kryeqytetin.

Kasolli thekson se formati aktual i debatit, ku të ftuar janë vetëm kandidatët e tri partive që supozohet se kanë më shumë gjasa për të fituar, është i mangët dhe përjashtues.

“Ky format, si i tillë, nuk është i plotë. Përkundrazi, është jo i barabartë, sepse i privon të gjithë pjesëmarrësit në garën për kryeqytetin që të kenë mundësi t’i ballafaqojnë programet e tyre në një debat të përbashkët” u shpreh Kasolli.

Sipas tij, kjo qasje cenon vetë esencën e debatit demokratik, i cili nuk duhet të mbështetet vetëm në fuqinë politike, por në argument.

“Kultura e debatit demokratik nuk është e lidhur vetëm me pushtetin, por edhe me argumentin. E ky i fundit nuk rrjedh vetëm nga pozicioni i fuqisë së pretenduar. Prandaj edhe modele të tilla e tjetërsojnë debatin elektoral nga një mjet për ndryshime shoqërore në një mekanizëm për ruajtjen e status quos” shtoi ai.

Kasolli gjithashtu kritikon përjashtimin e kandidates së PSD-së, Besa Shahini, duke e lidhur këtë me një formë të heshtur të mirëmbajtjes së pabarazisë gjinore në hapësirat politike.

“Privimi i Besa Shahinit nga të qenit pjesë e kësaj beteje, ndër të tjera, manifeston frymën e kultivimit të mirëmbajtjes së pabarazive gjinore – sipas së cilës një grua nuk ka vend aty ku zhvillohet përplasja finale ndërmjet burrave” deklaroi ai.

Ai kujton gjithashtu se edhe kandidatët e tjerë kanë pasur paraqitje individuale në emision, madje me analistë të përzgjedhur, duke mohuar kështu që pjesëmarrja e Shahinit më herët të justifikojë përjashtimin e saj nga debati përfundimtar.