Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Presidentja Osmani e heshtur për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese por aktive për rolin e presidentit Trump në Lindje të Mesme

Presidentja Osmani e heshtur për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese por aktive për rolin e presidentit Trump në Lindje të Mesme

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka kaluar gati një ditë që Gjykata Kushtetuese e ka publikuar tekstin e plotë të “Aktgjykimit në rastin KO265/25, parashtruar nga: Igor Simić dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Ky institucion ka bërë të ditur se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Dhe se deputetët kanë kohë edhe 12 ditë për ta finalizuar këtë detyrë. Ndonëse, nëse të njëjtit dështojnë ta jetësojnë këtë obligim nuk është bërë e qartë se çka do ndodh më Kuvendin.

Sidoqoftë, prej se u bë publik ky vendim e deri më tani e heshtur ka qenë vetëm presidentja Vjosa Osmani. Natyrisht ajo mund të arsyetohet se aktgjykimi është voluminoz dhe do t’i duhet kohë që ta analizojë para se ta artikulojë vlerësimin e saj. Mirëpo, e para e shtetit,  të paktën nëse jo diçka më shumë, ka mundur t’u drejtohet subjekteve parlamentare që pa humbur kohë t’i përmbushin detyrat kushtetuese, të paktën për shkak të pozicionit të saj si garantuese të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Madje tashmë është caktuar edhe fillimi i seancës konstituive, por presidentja vazhdon të jetë e heshtur. Pa asnjë qëndrim.

Sidoqoftë, e njëjta nuk ka qenë kaq indiferente sa i përket zhvillimeve ndërkombëtare Përkundrazi, duket që Vjosa Osmani,  edhe para se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ta instruktonte shefin e tij që sa më shpejt ta kumotonte i pari në rrjetet sociale dakordimin e shtetit të Izraelit dhe Hamasit për marrëveshje paqësore, është ngutur ta përshëndet “angazhimin dhe lidershipin e vërtetë të presidentit Trump dhe Administratës së tij për të sjellë paqe të qëndrueshme për izrealitetët dhe palestinezët njësoj”.

Kjo sjellje shpërfillëse ndaj detyrave të shtëpisë dhe qëndrimi turravrap në arenën ndërkombëtare, nuk është asgjë tjetër pos kalkulim i saj për pushtet të dyfishtë. Në rastin e parë sepse ende nuk është e sigurt se çfarë pozicioni do të ketë Albin Kurti për aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, prandaj përshtatjen më retorikën e tij e konsideron si të vetmen shans për pushtet  të brendshëm, kurse në rastin e dytë mbase shpreson se zëri i saj do të dëgjohet deri në Shtëpi të Bardhë dhe të ketë ndonjë përfitim diplomatik ndërkombëtar nga Zyra Ovale. Ndonëse këtu duhet kujtuar se e Ngarkuara me Punë e këtij shteti në Kosovë, së bashku më shumë përfaqësues tjerë diplomatikë në Prishtinë kanë bërë thirrje që pa ekuivoke të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Parakokdalisht, me këtë sjellje presidentja Osmani po tregon se ka hezitime të jetë me Uashingtonin në Kosovë për shkak të interesave personale nga Albin Kurti, duke abdikuar kështu edhe nga roli i saj kushtetues, e duke ua lënë në dorë mbrojtjen e kushtetushmërisë së shtetit ambasadave të huaja, por nuk harron që ta shfaq vetën si apologjete globale e SHBA-ve në Lindje të Mesme.