Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Rritja e importit, Qorolli: Për shkak të mungesës së fokusit institucional në zhvillimin ekonomik

Rritja e importit, Qorolli: Për shkak të mungesës së fokusit institucional në zhvillimin ekonomik

Eksperti i ekonomisë, Adem Qorolli, ka folur për Arbëria TV mbi rritjen e vazhdueshme të importit në Kosovë dhe thellimin e deficitit tregtar, duke e cilësuar këtë zhvillim si rezultat të drejtpërdrejtë të menaxhimit të dobët institucional dhe mungesës së politikave afatgjata ekonomike.

Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me këtë trend, Qirovi thekson se:

“Një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në rritjen e vazhdueshme të importit dhe thellimin e deficitit tregtar është mungesa e fokusit institucional në zhvillimin ekonomik. Institucionet nuk po i përmbushin përgjegjësitë e tyre: Fokusimi pothuajse i plotë në fushata elektorale dhe luftë për pozita politike, ka bërë që prioritetet ekonomike të shtyhen në plan të dytë”.

Ai vë në pah edhe mungesën e mbështetjes për prodhuesit lokalë, duke theksuar ndikimin negativ të politikës së tregut të hapur:

“Politikat ekonomike janë të fragmentuara, shpesh të vonuara ose jo në përputhje me nevojat reale të tregut dhe të bizneseve. Politika e tregut të hapur pa mbrojtje për prodhuesit lokalë: Lejimi i lirë i mallrave të importuara, shpesh me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit vendas, ka shkaktuar krizë serioze në bizneset vendore”.

Sipas Qirovit, përkeqësimi i situatës po thellohet edhe nga humbja e vazhdueshme e fuqisë punëtore:

“Shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme po mbyllen, për shkak të pamundësisë për të konkurruar me produktet e jashtme. Kosova po përballet me një migrim të vazhdueshëm të të rinjve dhe fuqisë punëtore të kualifikuar, e cila po shkon drejt vendeve të BE-së. Kjo ka krijuar një mungesë serioze të fuqisë punëtore në sektorët kyç të ekonomisë, duke e bërë edhe më të vështirë ringjalljen e prodhimit vendor dhe hapjen e bizneseve të reja”.

Ai paralajmëron për pasojat afatgjata nëse nuk ndërmerren masa urgjente:

“Kosova gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një ekonomi konsumuese dhe të varur nga remitancat dhe ndihmat sociale, në vend që të jetë një ekonomi prodhuese dhe e qëndrueshme. Kjo qasje është e paqëndrueshme dhe nuk krijon vende të reja pune, as zhvillim afatgjatë ekonomik”.

Në fund, Qirovi ofron disa pika kyçe që sipas tij duhen adresuar urgjentisht:

“Institucionet duhet të rikthejnë fokusin tek zhvillimi ekonomik, përmes planeve konkrete dhe jo vetëm premtimeve. Tregu i hapur duhet të balancohet me politika mbrojtëse për prodhuesit lokalë, për të ruajtur konkurrencën dhe kapacitetin prodhues. Nxitja e hapjes së bizneseve të reja, inovacionit dhe ndërmarrësisë duhet të jetë prioritet kombëtar. Ndalja e migrimit përmes krijimit të kushteve të punës, stabilitetit ekonomik dhe mbështetjes për rininë”.