Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Gjakovë: Kërkohet paraburgim për 30 ditë ndaj personit që pengoi një gjyqtar në kryerjen e detyrës zyrtare

Gjakovë: Kërkohet paraburgim për 30 ditë ndaj personit që pengoi një gjyqtar në kryerjen e detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet Sh.B., si dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 7 tetor 2025, rreth orës 09:30, në fshatin Berish të Komunës së Malishevës, i pandehuri ka tentuar me forcë të pengojë një gjyqtar – person zyrtar – në kryerjen e detyrës zyrtare. I dëmtuari, N.Q., është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega Malishevë.

Incidenti ka ndodhur gjatë një seance në terren për një kontest pronësor, ku i pandehuri fillimisht ka debatuar me avokatin e palës, duke e pyetur se “pse ka hyrë në këtë lëndë”. Gjyqtari i është prezantuar dhe e ka lutur të mos e pengojë seancën, duke paralajmëruar se do të thërrasë policinë nëse situata përshkallëzon.

Pavarësisht kësaj, i pandehuri ka reaguar me tone të larta, duke thënë: “Unë jam mësuar të shkoj në polici, thirri edhe njësinë speciale”, dhe më pas ka vazhduar të pengojë gjyqtarin, përfshirë edhe një veprim fizik me duar në gjoksin e tij.

Prokuroria thotë se me këto veprime ekziston dyshimi se është kryer vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas nenit 401, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga data 7 tetor 2025, në pritje të vendimit për paraburgim.