Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Jakup Bellaqa: Inflacioni, rritja e tarifave dhe mungesa e institucioneve po e ngadalësojnë ekonominë e Kosovës

Jakup Bellaqa: Inflacioni, rritja e tarifave dhe mungesa e institucioneve po e ngadalësojnë ekonominë e Kosovës

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka folur për Arbëria TV rreth raportit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku është evidentuar një ngadalësim i rritjes ekonomike për vitin 2025, si në Kosovë, ashtu edhe në rajon.

Sipas tij, disa faktorë kyç kanë ndikuar në këtë ngadalësim.

“Raporti i Bankës Botërore e qetë Kosovën me rritje ekonomike 3.60% për vitin 2025. Arsyet bazë janë disa faktorë si inflacioni. Po të krahasojmë, p.sh. korrikun e këtij viti inflacioni ishte 4.30% në krahasim me korrikun e vitit 2024, pastaj gushtin e këtij viti ku inflacioni ishte 4.5% në krahasim me vitin 2024,” u shpreh Bellaqa.

Ai shtoi se një ndikim të madh e ka pasur edhe rritja e tarifave të energjisë elektrike, që ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin furnizues dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Faktor tjetër është rritja e tarifave të energjisë elektrike si në qershor me 16.1%, ku e ka vështirësuar zinxhirin furnizues të produkteve bazë jo elastike dhe ka dobësuar fuqinë blerëse të ekonomive familjare dhe ka rritur koston e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si te ato prodhuese dhe shërbyese,” tha Bellaqa.

Duke komentuar strukturën ekonomike të vendit, ai theksoi se varësia nga importi e bën Kosovën më të ndjeshme ndaj krizave dhe ndryshimeve në tregun global.

“Gjithashtu një faktor tjetër është se ne jemi ekonomi që varemi nga importi rreth 80%, dhe këtu ka shpenzime vartëse dhe në treg kemi çmime të produkteve tregtare e jo prodhuese, ku e përkeqëson situatën e tregut dhe nuk vepron fuqia e ofertës dhe kërkesës.”

Bellaqa veçoi gjithashtu mungesën e institucioneve qendrore si faktor të rëndësishëm në përkeqësimin e ambientit për biznes.

“Gjithashtu mosformimi i institucioneve qendrore ka ndikuar në përkeqësimin e ambientit të bërjes biznes, dhe ekonomia disi nuk po zhvillohet sipas trendeve normale,” përfundoi ai.

Sipas Bankës Botërore, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike më të ulët krahasuar me vitin 2024, dhe ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk është ndër vendet me përmirësim ekonomik në vitin 2025.