Meriton Ramabaja ka bërë sot një reagim duke akuzuar pushtetin lokal në Kamenicë për përndjekje e presion institucional veçanëriasht nga kryetari i kësaj komune Kadri Rahimaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës kur ai po përballej me një sëmundje të rëndë.
Në një postim publik, Ramabaja thotë se pas diagnostikimit me tumor në tru në fund të vitit 2022, ai nuk është përballur vetëm me sëmundjen, por edhe me një presion të vazhdueshëm nga zyrtarët lokalë Kadri Rahimaj, Vaxhid Rexhepaj dhe Burim Kryeziu.
“Një pushtet që nuk të lë rehat as në sëmundje,” shkruan Ramabaja, duke shtuar se është hera e parë dhe e fundit që flet publikisht për këtë çështje.
Ai pretendon se në kohën më të rëndë të jetës së tij, kur ishte në kimioterapi dhe baba i dy fëmijëve, i ishte vendosur kurth institucional. Sipas tij, gjendja shëndetësore ishte injoruar krejtësisht, madje edhe pas rekomandimeve të doktor Petrelës, një neurokirurg i njohur.
“Jam detyruar t’u dërgoj fotografi për të vërtetuar gjendjen time pas intervenimit kirurgjik. Kur panë se nuk po paraqitem në punë sepse nuk mundem, më paditën,” thotë Ramabaja.
Reagimi i plotë:
Një pushtet që nuk t’len rehat as në sëmundje.
Është hera e parë edhe e fundit që flas publikisht për këtë. Nuk po e bëj për vete, po për krejt njerëzit që ju është hakmarrë ky pushtet, e që janë shumë në numër.
Pas diagnostifikimit tim me tumor në tru në fund të vitit 2022, unë nuk jam marrë veç me sëmundjen, por edhe me presionin nga Kadri Rahimaj, Vaxhid Rexhepaj, dhe Burim Kryeziu.
Një pushtet hakmarrës e përndjekës, që më kanë vendos kurthe në hallin tim më t’madh, një njeriu në kimioterapi dhe babë i dy fëmijëve.
Kanë injoru gjendjen time shëndetësore, për ma tepër edhe rekomandimin e doktor Petrelës. Jom detyru me ju dërgu foto për me ua vërtetu gjendjen tem pas intervenimit kirurgjik. Kur e panë që unë në punë nuk shkoj sepse nuk mundem, më paditën. Në njërën anë diagnozat e në anën tjetër përgjigja në padi. E pabesueshme. Por as për këtë nuk kanë pasë dije. As rregulloret, as ligjet e procedurat më të thjeshta nuk i dinë. Si rrjedhojë, unë e kam fitu rastin në gjykatë. Nuk kam kërku nga komuna as shpenzimet gjyqësore e as kompensim dëmi.
Tu e ditë që doket e pabesueshme, po e dëshmoj me foto nga procesi. Sinqerisht, jashtë çdo bindjeje politike e ngjyrimi, jashtë çdo mendësie e përkatësie – këta veç njerëzi e ndërgjegje nuk kanë.