Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Dhoma e Tregtisë: Bojkotoni produktet e Serbisë

Dhoma e Tregtisë: Bojkotoni produktet e Serbisë

Mënyra më e mirë dhe më paqësore me i dal zot vendit, është duke blerë produkte vendore dhe duke mos blerë asgjë të prodhuar në Serbi, pasi që ky shtet në vazhdimësi është duke e penguar qarkullimin e mallrave tona përmes Serbisë. Reciprociteti i Kosovës është më shumë se i nevojshëm.

Kështu thuhet në një komunikatë për media të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK), ku ka ripërsëritur kërkesën ndaj bizneseve që bëjnë tregti me Serbinë që ta ndërprenë menjëherë bashkëpunimin, duke marrë parasysh pretendimet e vazhdueshme dhe në rritje territoriale që Serbia në përkrahje të Rusisë i ka ndaj Republikës së Kosovës, duke vazhduar ta mbajë në Kushtetutën e Serbisë territorin e Republikës së Kosovës.

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur Rusisë sanksione, duke e konsideruar aleatin kryesor të saj. DHTIK mbështetë iniciativat nga Evropa dhe SHBA dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rrisë angazhimin që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të të përshpejtojnë procedurat për futjen e Kosovës në BE dhe NATO, si një garanci për rritjen e sigurisë në Ballkan dhe Evropë dhe shuarjen e pretendimeve të Serbisë dhe Rusisë për ndarjen e Kosovës dhe Bosnjës. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), që nga themelimi është në përpjekje të vazhdueshme të mbështetjes së bizneseve, sidomos atyre prodhuese në mënyrë që t’i zëvendësoj produktet e Serbisë me ato vendore. Dhjetëra mijëra shqiptarë e sakrifikuan gjakun për Kosovën”, thuhet në komunikatë, ku theksohet se bojkoti i këtyre produkteve është minimumi që mund të bëjmë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress