Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Kërcënime ndaj Luljeta Pulës”, Basri Beka: Fanatizmi islamik s’do ta mposhtë kurrë identitetin shqiptar – E turpshme

“Kërcënime ndaj Luljeta Pulës”, Basri Beka: Fanatizmi islamik s’do ta mposhtë kurrë identitetin shqiptar – E turpshme

Basri Beka ka reaguar ashpër pas kërcënimeve të bëra ndaj Luljeta Pula, të cilat, sipas tij, vijnë si pasojë e vendimit të saj për t’u rikthyer në fenë katolike. Ai dënoi ashpër gjuhën e urrejtjes dhe frikësimit nga ekstremistët islamikë dhe ideologjia e islamit politik, duke e cilësuar këtë si një kërcënim serioz ndaj shoqërisë shqiptare dhe vlerave të saj.

“Kërcënimet, shantazhi dhe frikësimi që po i bëhen profesoreshës Luljeta Pula nga ekstremistët islamik dhe nga ideologjia e islamit politik janë të papranueshme, të turpshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë. Askush, as individ, as grup, as ideologji, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në ndërgjegjen, lirinë dhe besimin e tjetrit”, ka shkruar Beka.

Reagimi i plotë nga Basri Beka:

Fanatizmi islamik s’do ta mposhtë kurrë identitetin shqiptar – solidaritet me Luljeta Pulën

Kërcënimet, shantazhi dhe frikësimi që po i bëhen profesoreshës Luljeta Pula nga ekstremistët islamik dhe nga ideologjia e islamit politik janë të papranueshme, të turpshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë. Askush, as individ, as grup, as ideologji, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në ndërgjegjen, lirinë dhe besimin e tjetrit.

Zgjedhja e saj për t’u rikthyer në fenë e të parëve – fenë katolike – është e drejtë njerëzore dhe kushtetuese, akt i lirë dhe i ndërgjegjshëm, që nuk i përket askujt tjetër përveç saj. Ky është një hap që shpreh guxim, vetëdije dhe refuzim të imponimit kulturor e fetar, që për dekada është përdorur për të tjetërsuar identitetin shqiptar.

Çdo kërcënim ndaj saj është kërcënim ndaj lirisë fetare, ndaj të drejtave themelore të njeriut dhe ndaj identitetit tonë kombëtar. Nuk është vetëm çështje personale e saj – është çështje e çdo shqiptari që beson në lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Nëse sot heshtim para linçimit të saj, nesër kushdo prej nesh mund të jetë viktimë e të njëjtit fanatizëm.

Ekstremizmi islamik dhe islami politik nuk kanë dhe nuk do të kenë vend në trojet shqiptare. Ata që sot shajnë, frikësojnë dhe shantazhojnë një grua të lirë, janë armiq të lirisë, armiq të kombit dhe armiq të së ardhmes sonë.

Solidaritet i plotë me prof. Luljeta Pulën.

Liria fetare është e drejtë e patjetërsueshme.

Identiteti shqiptar nuk negociohet, nuk kërcënohet dhe nuk shantazhohet.