Një dosje prej 800 faqesh me kontrata dhe korrespondencë tregon se Rusia po e ndihmon Kinën që ta përgatisë ushtrinë e saj për një pushtim të mundshëm të Tajvanit. Kështu tha një institut i pavarur që i ka zbuluar dokumentet dhe i ka verifikuar në mënyrë të pavarur, shkruan Radio Evropa e Lirë
Oleksandr V. Danylyuk, hulumtues i lartë në Institutin për Shërbime të Bashkuara Mbretërore (RUSI), i cili i ka siguruar këto dokumente që kanë rrjedhur, së bashku me bashkëautorin Jack Watling, foli për Radion Evropa e Lirë lidhur me atë se çfarë domethënie kanë këto gjetje për të ardhmen e bashkëpunimit ushtarak Kinë-Rusi, si dhe për arsyet pse Rusia mund të jetë në favor të një pushtimi kinez të Tajvanit – ishullit vetëqeverisës me 23 milionë banorë që Pekini pretendon se është territor i tij.
Sipas RUSI-t, dokumentet lënë të kuptohet se Moska ishte pajtuar më 2023 për t’ia shitur Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës (PLA) një sërë pajisjesh ushtarake, përfshirë makina sulmuese, armë kundërtanke dhe një transportues të blinduar ajror të personelit. Autoblindat do të pajiseshin sipas specifikave kineze dhe Rusia do ta trajnonte një batalion elitar të parashutistëve kinezë për t’i përdorur këto makina.
Në kontratë, po ashtu, thuhej se Rusia do të transferonte teknologji në Kinë dhe do të lejonte që Kina të prodhonte armë të ngjashme.
Një marrëveshje e tillë do t’i forconte aftësitë manovruese ajrore të Kinës, një prej fushave të pakta ku ushtria e Moskës ka përparësi ndaj PLA-së, dhe do t’i rriste shqetësimet se Pekini mund të marrë infrastrukturën në brendësi të territorit dhe njëkohësisht të kryejë sulme në porte dhe plazhe përgjatë bregdetit, si pjesë e një pushtimi të mundshëm.
Rreth 800 faqe me kontrata dhe dokumente shoqëruese “duken autentike” dhe detajet nga dokumentet janë verifikuar në mënyrë të pavarur, tha RUSI. Megjithatë, ky institut shtoi se ekziston mundësia që pjesë të dokumenteve të jenë ndryshuar apo hequr.
Moska nuk ka komentuar për këto dokumente të zbuluara.
Intervista më poshtë është shkurtuar dhe redaktuar me qëllim që të ketë më shumë qartësi.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni shkurtimisht se cilët janë elementët kryesorë të këtyre marrëveshjeve dhe pse ato janë të rëndësishme për Pekinin, sa i përket një pushtimi të mundshëm të Tajvanit?