Shkruan: Afrim Kasolli
Është thënë nga shumë analistë të tjerë se në fushatën elektorale për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, kanë rënë në sy dy përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në qytetin e Mitrovicës si dhe Riad Rashiti në atë të Gjilanit. Në disa debate dhe paraqitje mediale ata janë shndërruar në një lloj sensacioni të befasishëm publik.
Sidoqoftë, rrugëtimi i tyre politik nuk është identik. Ata dolën në sipërfaqe për arsyeje krejtësisht të ndryshme. Në rastin e kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës, për shkak të vendimit të kryetarit aktual, Bedri Hamza, për t’u tërhequr nga gara me qëllim që t’i hapet rrugë një brezi tjetër në përfaqësimin e partisë.
Kurse në rastin e dytë, disa burime më kanë bërë të ditur, se Riad Rashiti nuk ishte i përzgjedhur për t’i prirë kësaj beteje. Fillimisht ishte menduar emri i kandidatit të kësaj partie për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale, Arben Mustafa. Por ky i fundit kishte refuzuar. Këtë tërheqje taktike i njëjti mund ta ketë bërë mbase nga frika ose kalkulimi se do t’i mungonin rezultatet e dëshiruara dhe se kjo humbje, pas asaj për ulësen e deputetit do t’i mbetej një njollë politike. Sepse nuk mund të mohohet fakti se dega e PDK-së në Gjilan ka kohë që ndodhet në një gjendje jo të mirë.
Natyrisht, në këtë zbythje nga terreni kanë mundur të ndikojnë edhe faktorë tjerë. E para, Arben Mustafa, në dallim nga Riad Rashiti ka kohë që është në kontakt me pjesën më të madhe të strukturave drejtuese aktuale të Partisë Demokratike të Kosovës, në qendër, sikur kryetari Memli Krasniqi, nënkryetari Uran Ismali, e ish-Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti Politik, Abelard Tahiri. Dhe ka gjasa që i njëjti ta ketë introjektuar edhe standardin e tyre politik dhe partiak, ku kjo veprimtari lidhet vetëm më përfitime, por jo edhe me betejë konstatonte. I rrethuar nga kjo klikë milionerësh, të cilët i mbajnë pozitat më larta përfaqësuese në hierarkinë e partisë, por pa e fituar asnjë betejë politike, atëherë para Arben Mustafës është imponuar ai model, sipas të cilit suksesi individual dhe partiak kalon nga participimi në këto rrethe vertikale, e jo nga aksioni kolektiv në nivel horizontal.
Kurse Riad Rashiti i privuar nga ky “privilegj” është nisur nga supozimi vetëm si ta përmirësojë përformancën lokale të partisë. Prandaj edhe nuk janë duke i munguar sukseset. Ngase ekziston dallim i madh ndërmjet përfaqësimit të qytetarëve dhe qarkut të mbyllur të kapitalit financiar politik.
Kjo është njëra nga arsyet se pse sot në masë të madhe e vërteta politike e Partisë Demokratike të Kosovës ndodhet në qytete si Gjilani dhe Mitrovica. Sepse kandidatët e saj duke mos qenë në kontakt konstant më klanin e mbyllur të Partisë në qendër janë më afër qytetarit. Dhe se këto suksese lokale janë e vetmja mundësi që ë shtrojnë rrugën e rithemelimit politik të kësaj partie dhe çlirimin e saj nga iluzionet e klikës së sipër-përmendur. Ndërkohë, kësaj të fundit i intereson më së paku ky sukses. Kjo verifikohet me një fakt të thjeshtë. Se çfarë disporpocioni ekziston në amplifikimin e fushatës elektorale të Uran Ismalit në rrjetet sociale nga figurat kryesore të PDK-së dhe kandidatëve të sipër cekur. Pra me këtë propagandë të njëjtit janë të interesuar vetëm si ta ruajnë mitin e suksesit në qendër, edhe pse i destinuar që të mos e kalojë as pragun e balotazhit. Thjesht si të mirëmbahet ai rrëfim ku humbja vazhdon të shitet si fitore. /TV Arbëria