Driton Kastrati, anëtar aktual i Kuvendit Komunal të Malishevës dhe kandidat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 12 tetorit, ka folur për angazhimin e tij katërvjeçar dhe kontributin në vendimmarrje gjatë një interviste në emisionin “n’Pult” në Arberia TV.
Në këtë intervistë, Kastrati tha se gjatë mandatit të tij është përpjekur të jetë i kujdesshëm në çdo vendim dhe se ka punuar me përkushtim për interesin e qytetarëve.
“Gjatë këtij mandati, unë si anëtar i Kuvendit jam përpjekur të jem i kujdesshëm me vendime, sidomos në ato vendime që kanë pasur efekt pozitiv në të gjithë qytetarët e Komunës. Kam dhënë nga vetja më të mirën e mundshme”, deklaroi ai.
Ai theksoi se Kuvendi Komunal ka funksionuar normalisht, duke votuar projektbuxhete dhe vendime të rëndësishme për qytetarët.
“Kuvendi e ka kryer pjesën e saj, janë votuar të gjitha ato projektbuxhete, janë votuar vendimet më të mira për qytetarët. Për shembull, është votuar edhe vendi se ku të ndërtohet nënstacioni i energjisë elektrike për komunën e Malishevës dhe jemi duke pritur të fillojë, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje për qytetarët”, tha Kastrati në “n’Pult”.
Ai u shpreh se vendimmarrjet janë bërë gjithmonë brenda afateve ligjore dhe pa ngecje
Ai shtoi se Kuvendi ka krijuar komisione të përhershme dhe për tema të veçanta, duke pasur gjithmonë një qasje konstruktive nga të gjithë anëtarët.
“Ne si Kuvend kemi formuar edhe komisionet të përhershme dhe për tema të veçanta. Në Kuvend të gjithë kemi qenë konstruktiv në qëndrimet e tyre”, tha ai.
Kastrati foli edhe për bashkëqeverisjen në nivel lokal.
“Ka pasur bashkëqeverisje mes NISMA-s dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe jemi munduar me dhënë maksimumin tonë në Kuvend, përfshirë këtu edhe drejtorët tanë që i kemi pasur në Kuvend dhe e kemi bërë më të mirën e mundshme duke u bazuar në kompetencat që i kemi pasur”.
Ai përfundoi duke theksuar mbështetjen që Kuvendi i ka dhënë kërkesave të ekzekutivit që kanë qenë në dobi të qytetarëve.
“I kemi dhënë të gjitha ato mundësi që ekzekutivi t’i ketë duar e lira për t’i arritur synimet e duhura që qytetari të jetë i përmbushur nga komuna”.