Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Refuzimi politik i asaj që është pranuar juridikisht si burim i krizës në Kosovë

Refuzimi politik i asaj që është pranuar juridikisht si burim i krizës në Kosovë

Shkruan: Afrim Kasolli 

 

Nëse do të mund të përshkruhej me pak fjalë thelbi i krizës politike në Kosovë, nuk ka dyshim se burim i saj mbetet te strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta refuzuar politikisht atë që e ka pranuar paraprakisht juridikisht. Dhe kjo qasje nuk ka të bëjë vetëm me rastin e fundit me mungesën e vullnetit të për zhbllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por edhe në raport me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë vetë Albin Kurti, në procesin e dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Fillimisht, dje lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar mos konsitituimit të Kuvendit për shkak të mos zgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb, derdhi lot krokodili, mbi humbjen që është duke e përjetuar Kosova nga mungesa e Kuvendit dhe fund duke mos harruar ta përdore metodën e tij të njohur të shantazhit të dyfishtë “se nuk duhet të harrojmë se nuk janë serbë vetëm deputetet e Listës Serbe, por serb është edhe Nenad Rashiqi”.

Mirëpo, siç dihet pikërisht në kohën kur partia e tij gëzonte një shumicë parlamentare të paprecedent në historinë e parlamentarizmit në Kosovë, është miratuar Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, e cila tekstualisht e specifikon në nenin12 këtij dokumenti, përkatësisht paragrafin 6.1 se “Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.

Pra është subjekti i tij parlamentar që  proceduralisht ia kanë mohuar Nenad Rashiqi-t edhe të drejtën për propozim, ndërkohë sot kërkon  që i njëjti të votohet në kundërshtim më ketë parim. Kështu nëpërmjet këtij kurthi ai po e arrin edhe një efekt tjetër, duke i detyruar edhe partitë tjera “opozitare” që të bëhen bashkëpjesëmarrës eventualisht nëse dështon Kuvendi ta themelojë veten.

E njëjta logjikë e ka karkterizuar edhe procesin tjetër të sipër përmendur, atë dialogut me Serbinë. Albin Kurti e ka ngarkuar ligjërisht shtetin e Kosovës me Marrëveshjen bazë të Brukselit, Aneksin e zbatimit të Ohrit si dhe është pajtuar që agjenda integruese euro-atlantike e vendit të kushtëzohet nga progresi në zbatimin e tyre, por i njëjti me të kthyer në Kosovë e ka marr stafetën se si është heroi i vetëm rezistues ndaj kërkesave të Serbisë për Asociacion, edhe pse i njëjti madje e ka pranuar edhe draftin e tij etj.

Sidoqoftë, në saje të kësaj sjellje skizoide politike janë duke u prodhuar disa pasoja serioze  për Kosovën. E para në vend të tensioneve me Serbinë, Kosova është duke e thelluar antagonizmin me partnerët ndërkombëtarë, për shkak të refuzimit për të t’i zbatuar obligimet që i ka pranuar para tyre. Ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA-të, masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës, dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, janë vetëm disa nga goditjet diplomatike të shtetit. Në  anën tjetër po ashtu vazhdimi i kësaj bllokade është duke i përkeqësuar standardet e brendshme kushtetuese dhe juridike duke e vazhduar atë praktikë të qeverisjes me një pushtet pa legjitimet demokratik.