Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e monopolizojë Vetëvendosja pozitën e nënkryetarit të Kuvendit për minoritetin serb vetëm për Listën Serbe

Si e monopolizojë Vetëvendosja pozitën e nënkryetarit të Kuvendit për minoritetin serb vetëm për Listën Serbe

Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Ndonëse duhet pritur aktgjykimin e plotë të rastit  KO265/25 të parashtruar nga “Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, lidhur me “vendimet e nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025”, megjithatë nuk duhet pritur ndonjë antinomi radikale ndërmjet njoftimit zyrtar për të këtë temë dhe aktgjykimit të plotë.

Tashmë, njoftimi e ka bërë të qartë se “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Dhe se i njëjti institucion ka kohë edhe 12 ditë pas publikimit të vendimit ta themelojë vetveten. Se çka ndodh nëse deputetët e shpërfillin këtë detyrim mbetet “enigmë” .

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ua ka përkujtuar deputetëve se vullneti politik nuk është arbitrar e as absolut. Ai nuk manifestohet për hir të vetvetes. Por në koherencë dhe pajtim me normat kushtetuese si dhe rregullat që kanë për mision  dhe qëllim  ta stabilizojnë jetën parlamentare. Pra ata nuk janë të obliguar të votojnë për kandidatin e Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit. Por kanë detyrim që ta zbatojnë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës që e kanë miratuar me të dy duart e tyre.  Dhe kjo e fundit nuk është aprovuar hiç më larg se gjatë kohës kur Lëvizja Vetëvendosje e ka gëzuar një shumicë të paprecedent parlamentare. Natyrisht, edhe më përkrahjen e partive tjera.

Në këtë kontekst, pa asnjë ekuivok neni 12 i Rregullores se Kuvendit, paragrafi 6.1 specifikisht pohon se “Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”, dhe pika 6.2 po ashtu pohon se “Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë”.

Megjithatë, sot si Lëvizja Vetëvendosje dhe mjerisht ashtu edhe partitë tjera shqiptare kanë deklaruar se nuk kanë votë për propozimin e shumicës së deputetëve të komunitetit serb. Kjo sjellje nuk është asgjë tjetër, pos shpërfillje e vullnetit të tyre të djeshëm politik. Sepse me sa dihet ajo rregullore nuk është imponuar, por ka qenë fryt i një konsensusi ndërpartiak.

Natyrisht as ajo nuk është absolute. Mund të ndryshohet. Por nuk mund të mos përfillet deri sa a është në fuqi. Me këtë qasje, fillimisht Vetëvendosja dhe më pastaj partitë tjera janë duke u rebeluar kundër vetvetes, shtetit dhe republikës.

Sidoqoftë, ky pozicion e shpreh mjerimin se ku e kanë katandisur vetën edhe partitë “opozitare”. Që në vend të lojalitetit ndaj normave dhe rregullave parlamentare , veprimin e tyre kanë vendosur t’ia subordinojnë tekave momentale dhe arbitrare të Albin Kurtit./TV ARBËRIA./