Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Eksperti i sigurisë Kastrati: Situata në veri është e brishtë, rrezik nga trazirat pas zgjedhjeve

Eksperti i sigurisë Kastrati: Situata në veri është e brishtë, rrezik nga trazirat pas zgjedhjeve

Eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati, në një paraqitje në emisionin “Arb Debat” me gazetarin Rid Berisha në TV Arbëria, ka folur rreth situatës së sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veriun e vendit.

Zgjedhjet lokale / Kastrati: Situata e sigurisë mjaft e brishtë, sidomos në veri të Kosovës

Ai, duke thënë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale, thekson se situata e sigurisë është mjaft e brishtë, e sidomos në komunat veriore të Kosovës.

Ai potencon se, sipas tij, Lista Serbe do të jetë fituese në zgjedhjet lokale.

“Situata është mjaft e brishtë, posaçërisht në katër komunat veriore, edhe pse ne dëgjojmë deklarata të institucioneve të Kosovës, të Policisë së Kosovës, se policia e ka nën menaxhim dhe nën kontroll komplet situatën në pjesën veriore të Kosovës – unë pajtohem me atë. Por, pasi që jemi në prag të zgjedhjeve lokale, atje do të marrin pjesë edhe Listat Serbe, e cila është e dirigjuar, është e kontrolluar dhe është e komanduar nga pushteti në Serbi, nga presidenti Vuçiq, dhe ata, sipas të gjitha gjasave, edhe do t’i fitojnë zgjedhjet në katër komunat”

Eksperti i sigurisë: Mund të ketë trazira në veri – institucionet e sigurisë të bëjnë parapërgatitje

Eksperti i sigurisë shprehet se pas fitores së mundshme të Listës Serbe në veri, mund të ketë trazira. Ai shton se institucionet e sigurisë së Kosovës duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar çdo veprim të mundshëm nga komuniteti serb.

“Unë kam thënë disa herë rekomandime të fuqishme, posaçërisht Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të bëjnë një plan të mirëfilltë, të bëjnë një parapërgatitje për të gjitha situatat e mundshme që mund të ndodhin. Unë pres që Serbia, pas zgjedhjeve, pas fitores së këtyre katër komunave të komunitetit serb, unë pres që ata mund të ndërmarrin veprime jo të mira”

“Asnjë shtet evropian nuk është i sigurt pa praninë e SHBA-së – garantuese e demokracisë”

Eksperti i sigurisë tutje ka folur edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe raportet e saj me Kosovën.

“Asnjë shtet evropian nuk është i sigurt në sigurinë e vet pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ata janë në një mënyrë apo tjetër garantues të demokracisë dhe asaj kulturës perëndimore. E mos të flasim për këtu në rajon”

“Faktor destabilizues kryesor në rajon – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dinë shumë mirë që është Serbia”, ka thënë Kastrati.

Kastrati: Nuk kam menduar kurrë që kryeministri im mund t’i thotë SHBA-së “shikoni punët tuaja”

Ai, ndër të tjera, ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në SHBA, ku duke folur për SHBA-të, thotë: “Ju i shikoni punët e juaja, ne i shikojmë tonat.”
Ai për këtë deklaratë shprehet mjaft i habitur.

“Nuk e kam menduar kurrë në jetë që një kryeministër i imi mund t’i thotë SHBA-së ‘shikoni punët e juaja’. Sepse SHBA-të janë meritorët, pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë më meritorët për lirinë tonë sot”

Sipas tij, një deklaratë e tillë është e turpshme për një qytetar të Kosovës, e lëre më për kryeministrin e vendit.

“Është e turpshme që një qytetar, e mos të them kryeministër i Republikës së Kosovës – të sillet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë mënyrë”. /TV Arbëria