Shkruan: Afrim Kasolli
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, gjatë konferencës për shtyp së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Natanyhau, deklaroi se ky i fundit është pajtuar me planin e paqes prej 19 pikave për t’i dhënë fund konfliktit dy vjeçar në Gaza. Ky plan sic dihet është dizajnuar nga Shtepia e Bardhë.
Drejtuesi i Zyrës Ovale u shpreh më tone optimiste për këtë skenar dhe siç e ka zakon nuk la pa ia njohur meritat vetit se po i jep fund një konflikti që ka zgjatuar me vite, dekada, pse edhe jo shekuj.
Sipas tij i mbetet tashmë Hamasit, militantët e së cilës me 7 tetor 2023 ndërmorën një inkursion terrorist në territorin e Izraelit duke vrarë 1200 civilë të pafajshëm si dhe duke i kidnapuar deri në 250 persona. Thuhet se deri në 50 prej tyre mbahen ende rob në tunelet nëntokësore të kësaj organizate në rripin e Gazës.
Me qëllim të lirimit të tyre si dhe shkatërrimin e Hamasit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit e nisën pushtimin e Gazës. Mirëpo, ky operacion ushtarak rezultoi me viktima të mëdha në mesin se popullsisë palestineze, duke shkaktuar një reagim dhe zemërim ndërkombëtar me veprimet e shtetit të izraelit. Trupa të OKB-së i kanë kualifikuar këto të fundit si gjenocid. Kurse edhe studiuesi i njohur i Holkoaustit sikur historiani i njohur izraelit, Omer Bartov, por që aktualisht jeton në SHBA, ka ngritur alarmin se sjelljet e shtetit te tij ne Gaza mund të cilësohen si gjenocid.
Analistë të ndryshëm kanë theksuar se gatishmëria e fundit e Benjamin Natanyahut, për t’u pajtuar me planin e ri të paqes, është edhe pasojë e pozicionit të pa lakmueshëm në të cilën gjendet ai dhe shteti i tij aktualisht. Fushata për përjashtimin e Izraelit nga shumë forume ndërkombëtare kulturore, sportive dhe artistike po shtohet dita ditës. Kurse shtetet perëndimore, sikurse Britania, Kanada e Franca, që kanë qenë mbështetëse të pa rezervë të Izraelit, me një lëvizje befasuese diplomatike janë pajtuar që ta njohin shtetin e Palestinës.
Ky plani i ri i paqes që parasheh lirimin e pa kusht të të gjitha pengjeve të mbetura, çarmatosjen e Hamasit si dhe instalimin e një trupe administrative ndërkombëtare për qeverisjen e Gazës në krye me ish-kryeministrin britanik Tony Bleir, ka gjetur mbështetje edhe te liderët tjerë të botës arabe dhe islame. Dhe një epilog i tillë është një fitore për Donald Trumpin, sepse shqetësimi kryesor i SHBA-ve në këtë kohë ka qenë dilema strategjike se si mos ta humbin botën arabe për shkak të mbështetjes për Izraelin. Deri më tani liderët e Hamasit kanë qenë të rezervuar ndaj këtij propozimi. Mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë. Në një intervistë për mediumin CNN, Ghazi Hamad njëri nga liderët politik të Hamasit që jeton në Doha të Katarit ka dhënë pak shenja se ata do të pajtohen me çrrënjosjen e grupit nga jeta politike palestineze në Gaza.
Mirëpo, nëse ata e refuzojnë atë, presidenti Trump ia bëri të qartë kryeministrit të zzraelit, Benjamin Netanyahu se do t’i ketë duart e lira për ta përfunduar punën e nisur (finish dhe job). Kurse liderët e kësaj organizate do të duhet të mendojnë për pasojat që i presin.
Në këtë mënyrë, Hamasi ndodhet para një dileme pa shtegdalje. Sepse e izoluar nga bota arabe dhe nën sulmet e Forcave Mbrojtëse të Izraelit e ardhmja kësaj lëvizje vështirë të paramendohet se do të mund të ketë sukses.
Megjithatë me këtë kthese edhe Izraeli duhet ta ketë kuptuar një rregull bazik, se asnjë sukses ushtarak nuk mund te jetë i mundur pa mjete politike dhe diplomatike.