Kandidati i AAK-së për kryeqytetin në emisionin “n’Pult”: “Tetë vite u morëm me kifle e autobusë me qira – Prishtinës i duhet punë, jo propagandë”
Bekë Berisha, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, në një intervistë në emisionin “n’Pult” në TV Arbëria, ka dhënë mesazhe të qarta për nevojën e një qasjeje të re në qeverisjen e kryeqytetit, duke kritikuar ashpër qeverisjen aktuale e të mëparshme, si dhe duke premtuar se do t’ia kthejë Prishtinës “identitetin ilir-dardan”.
“Ka ardh koha që na me ja nis ata çka e folim edhe me ba”
Berisha tha se vendimi për të kandiduar ka ardhur si kërkesë e qytetarëve, kolegëve dhe partisë, për shkak të një pakënaqësie të madhe me mënyrën se si është qeverisur Prishtina deri tani.
“Duke e pa se qysh nuk ka funksionu një qytet që është ma i madhi në Kosovë, që është edhe kryeqytet, edhe me kërkesën e kolegëve, me kërkesën e partisë besa edhe e qytetarëve për me pru diçka të re, për me pru diçka të kapshme, për me pru diçka reale. Sepse qysh po duket ka ardh koha që na me ja nis ata çka e folim edhe me ba.”
Ai theksoi se qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe se vota ka funksionuar shpesh “për inat” dhe jo për zhvillim.
“E dimë që ka pas kandidatë që kanë fol shumë e mirë, por në fund të mandatit s’u ba kurgja. Këtu u kanë edhe ndikimi i partive dhe shtrirjeve të tyre, edhe ka funksionu diqysh vota ma shumë për inat sesa për të ardhmen, për prosperitet e për zhvillim”
“Tetë vite me kiflet e autobusët me qira”
Berisha kritikoi ashpër qeverisjet e kaluara për trajtimin e temave sipërfaqësore, duke përmendur si shembull diskutimet e vazhdueshme për kiflet apo autobusat.
“Kemi pas përvoja të këqija. Nja 8 vjet mandat u kanë një kandidat që tema kryesore u kanë: kiflet e nxehta, kiflet e ftofta, erdhën kiflet, mungun kiflet, u gjet mini në kifle, jo nuk është e vërtetë, propagandë. Tetë vite jemi marrë me qita. Edhe u kanë një temë tjetër: bexhi, paret, autobusët – erdhën autobusët, nuk erdhën, janë me qira”
“Me ia kthye Prishtinës identitetin e munguar, identitetin ilir-dardan – me kallxu gjenezën tonë prej nga vijmë na”
Përveç nevojës për punë dhe përkushtim, Berisha tha se një ndër prioritetet e tij është ruajtja dhe promovimi e identitetit historik të qytetit.
“Punë, përkushtim, integritet, dinjitet edhe me ia kthye Prishtinës identitetin e munguar, identitetin ilir-dardan të rrënjëve tona, pastaj çështjet e tjera.”
Ai përmendi edhe rëndësinë e figurave të pasluftës, të cilët kanë ndikuar që Prishtina të jetë pjesë e historisë së çlirimit.
“Po të mos ishte Zahir Pajaziti i vendosur pas lufte prej kërkesës së ushtarëve të UÇK-së, intelektualëve e qytetarëve, nanë në Prishtinë nuk kishim mujt me i thanë dikujt që qiky vend ka pas luftë edhe u çliru.”
“Nuk jemi të pikun prej qielli – historia jonë duhet me u pa”
Berisha theksoi se një ndër synimet e tij është edhe ndërtimi i një lidhjeje të fortë mes qytetarëve dhe historisë kombëtare përmes simboleve konkrete dhe edukimit kulturor.
“Unë du me lidh edhe prej Ulpianës, Dardanisë antike, ilirëve, me i ba do mure me kallxu gjenezën tonë prej nga vijmë na, se nuk jemi të pikun prej qielli. Me pa fëmijët tonë, po edhe na vet me kuptu se kush jemi, qysh është historia jonë, edhe kur vjen një vizitor prej kumedit ku me ditë ku është ardh”
“Qentë, mbeturinat, komunikacioni – jeta është ba e pajetueshme në Prishtinë”
Berisha u ndal edhe tek problemet aktuale të qytetit, të cilat, sipas tij, e kanë bërë Prishtinën një vend të vështirë për të jetuar.
“Jeta është bë e pajetueshme në Prishtinë për shkak të qenve endacakë, mbeturinave edhe tollovisë në komunikacion.”
“Pallati i Rinisë nuk është renovu, është në gjendje të keqe – me kthy në qendër tregtare, me vlu ai vend – se u mbet shkret”
Një nga projektet konkrete të propozuara nga Berisha është rikonstruktimi i Pallatit të Rinisë, duke ruajtur pamjen origjinale, por duke e kthyer në një hapësirë funksionale për qytetarët.
“Pallati i Rinisë nuk është renovu, është në gjendje të keqe. Prej që u kall, nuk është funksional. Na kemi mendu qat me ba qendër kulturore, artistike, sportive – me rikonstruktu, mos me ia hup identitetin që e ka pas, sepse njerëzit e duan edhe e mbajnë mend atë strukturë”
“Me rikonstruktu duke e ruajt qat pamje. Në mënyrë që me ba një qendër tregtare, me vlu ai vend – se u mbet shkret. Domethënë, e zenë hapësirën më të madhe në Prishtinë, po ka mbet shkret”. /TV Arbëria