Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka realizuar një kontroll në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, si dhe shtëpinë e të dyshuarit, Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në njoftimin e tyre thuhet se gjatë operacionit policor janë sekuesturuar prova materiale ( dokumente ) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.
“Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.