Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takuan në Nju Jork të martën mbrëma, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në këtë takim u bisedua për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
E analisti politik, Afrim Kasolli tha se ky takim ndodhi pikërisht në dy vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Madje sipas tij, Kosova ka stagnuar në planin diplomatik dhe ndërkombëtarë, pavarësisht që siç tha ai, Kosova ishte viktimë e konfirmuar në Banjska.
“Në planin diplomatik kur jemi dy vite pas sulmit në Banjska, Kosova edhe pse ishte viktimë e konfirmuar nuk ka arritur që ta kapitalizojë në aspektin diplomatik dhe ndërkombëtarë atë situatë. Janë disa fitore taktike, lokale që i ka arritur shteti i Kosovës në pjesën veriore, mirëpo fatkeqësisht nuk janë përkthyer në fitore strategjike ndërkombëtare. Lajmet që vinin nga asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e konfirmojnë këtë. Ne pamë sekretarin amerikan të shtetit Rubio duke u takuar me presidentin serb, pikërisht në dy vjetorin e sulmit në Banjskë duke diskutuar për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve e partneritetin ekonomikë e tema të tjera”, tha Kasolli në emisionin “ARB DEBAT” në Tv Arbëria.
Teksa duke komentuar fotografinë e presidentes Vjosa Osmani, në ndejën e organizuar nga presidenti amerikan me sekretarët e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, Kasolli tha se Osmani dukej si një adoleshente kur e takon idhullin e saj.
“Dhe është mashtrim optik, Vjosa Osmani nuk është takuar me Marco Rubion ajo është sikur një adoleshente kure e takon idhullin e tij sjellja e saj”.
“Kryeministri Kurti endet rrugëve të Prishtinës me disa bodyguard, nuk ka kontakt as me realitetin Vuçiqi takohet veçmas me Rubion.
Nëse me Avdullah Hotin Kosova ishte prezente në Shtëpinë e Bardhë sot Kosova nuk është prezente në State Departament në takime me zyrtarë të lartë. T’i themi katastrofë diplomatike”, shtoi Kasolli.
Ndryshe, Vuçiq tha se biseda mes tij dhe Rubio u përqendrua në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, veçanërisht sa i përket zgjidhjes së çështjes së tarifave të SHBA-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë prej 35 për qind ndaj mallrave serbe muaj më parë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, tha se Rubio bisedoi me Vuçiqin për thellimin e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, përfshirë përmes dialogut strategjik dhe pjesëmarrjes së SHBA-së në ekspozitës ndërkombëtare EXPO 2027, e cila do të mbahet në Beograd.
Mes shqetësimeve të ngritura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pikërisht nga Nju Jorku se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën, Vuçiq tha se theksoi para Rubios se Serbia është e “përkushtuar” për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Vuçiq tha se “ky është parakusht për çdo përparim të mëtejshëm dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, duke shprehur mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe Metohi, si dhe për kontributin e tyre në procesin e dialogut Beograd–Prishtinë”.
E pyetur në një intervistë për Fox News nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ndërkohë, Vuçiq e tha se e vlerëson mbështetjen e SHBA-së në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, “që është një nga objektivat strategjikë të vendit tonë”.
“Dialogu i hapur dhe i sinqertë, i bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, është mënyra më e mirë për të forcuar partneritetin Serbi-SHBA”, tha ai./TV ARBËRIA./
EMISIONI I PLOTË: