Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë

Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë

Dy vjet më parë, një grup terroristësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër, në një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit. Asokohe, sulmi u dënua nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët, duke bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë.

I gjithë rasti ndodhi pasi në hyrje të fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke e bllokuar hyrjen përmes urës në atë vend. Aty patrulla policore që pa barrikadën njoftoi kolegët tjerë në bazë, e që mesin e zyrtarëve që iu bashkuan kolegëve në vendngjarje ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës.

Derisa sot nën patronatin e Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot organizohen aktivitete përkujtimore në nderim të dyvjetorit të rënies heroike të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ceremonitë përkujtimore fillojnë me homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, ku do të marrin pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Në orën 15:00, do të mbahet akademi përkujtimore me rastin e dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjakut, ku pritet të jenë të pranishëm po ashtu Kurti, Sveçla dhe Hoxha, të cilët do të nderojnë sakrificën dhe përkushtimin e heroit për vendin dhe komunitetin.