Gazetari Jusuf Bytyqi, i ftuar në emisionin N’Pult në TV Arbëria, ka folur për fushatën zgjedhore nga partitë politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Sipas tij, në shumicën e komunave do të ketë balotazh.
“Unë konsideroj se në shumicën e komunave do të ketë balotazh”, ka thënë Bytyqi.
Ai flet edhe për debatet televizive mes kandidatëve dhe kritikon disa nga kryetarët aktualë për mospjesëmarrje.
“Më ka ra në sy ditëve të fundit refuzimi i ndonjërit nga kandidatët që është kryetar aktualisht në komunë, se po i refuzojnë debatet zgjedhore. Askush s’bon t’i ikë debatit”
Gazetari flet edhe për kryeqytetin. Ai thotë se në këtë komunë, nga qeverisja e Përparim Ramës nga LDK-ja, nuk janë përmbushur shumë premtime të dhëna para katër viteve.
“Në Prishtinë, shumë projekte të premtuara nuk janë realizu. Kryetari aktual i Prishtinës ankohet edhe në bllokadën që ia ka kriju Ministria e Kulturës”
Bytyqi: Gjithçka që nuk realizohet, unë e konsideroj mashtrim
Gazetari tutje thekson se kandidatët, para se të premtojnë nëpër fushata për projekte të caktuara, duhet të analizojnë të gjitha rrethanat ligjore.
“Gjithkush që ka premtu x projektin pa e analizu mirë, pa i pasë parasysh të gjitha rrethanat, duhesh me mendu. Çdo kryetar i komunës duhet me konsultu mirë edhe saktë zyrën ligjore – çka lejohet e çka nuk lejohet. Pastaj kryetari mos me dalë në pozitë të palakmueshme: e shpall tenderin, ndalet tenderi”
“Fushata është fushatë. Lejohet edhe me rrejt, edhe me mashtru, edhe me dezinformu, edhe me thënë diçka që s’munesh me ba”, thekson tutje Bytyqi në emisionin N’Pult.