Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshmia e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai përsëriti se nuk ka pasur dëshmi për dhunë të organizuar nga shqiptarët menjëherë pas luftës në Kosovë.
Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, u intervista të martën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e pyeti atë për disa persona. Dëshmitari tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve të zonave.
Gjatë paraqitjes në ekran të disa fotografive, prokurori Matthew Halling e shfaqi edhe një të Kadri Veselit.
Britaniku tha se nuk ja dinte emrin por e dinte se ishte person me funksion të lartë në zbulim.
Duncan: Është me sa më kujtohet një nga njerëzit me funksion të lartë, në funksionin policor dhe të zbulimit.
Prokurori: Si e dini një gjë të tillë?
Duncan: Nuk ua them dot.
Prokurori: Nëse do të them që ky është Kadri Veseli, a ke arsye për ta kundërshtuar?
Duncan: Nuk kam arsye për ta kundërshtuar.
Prokurori e pyeti atë edhe për Xhavit Halitin, për të cilin dëshmitari tha se ishte person me interes të veçantë.
Fotografitë që nxori prokuroria në ekran ishin nga një video e takimit që ishte mbajtur në mes të qershorit 1999, ku kishte marrë pjesë edhe vetë ish-këshilltari i Wesley Clark.
Prokurori: Ky zotëri me këmishë me vija, kush është?
Duncan: Jemi futur në një fushë të ndjeshme, unë e di kush është ky zotëri, ai është një person me interes të veçantë për ne, por nuk jam i sigurt nëse jam i gatshëm të tregoj kush është.
Prokurori: Dëshironi të kalojmë në seancë private ndoshta mund të na thoi?
Duncan: Dyshoj.
Prokurori: A është Xhavit Haliti ky person?
Duncan: Ky nuk është personi që mua më kanë thënë që ka qenë Xhavit Haliti në takimin në Tiranë.
Prokurori: Personi me këtë bluzë me vija, a e dini nëse ka qenë komandant zone?
Duncan: A mund të kalojmë në seancë private, mbase mund të shpjegoj diçka në seancë private?
Gjatë paradites, seanca kaloi disa herë në sesion privat.
Dëshmitari, ndër të tjera tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve
Duncan: Nuk më kujtohen të gjithë komandantët e zonave
“Ju po më pyesni nëse mund të identifikoj individë, nuk isha atje për të thënë a i kemi të gjithë komandantët e zonave këtu. Ceku na kishte thënë që duhej të ishin të pranishëm komandantët e zonave, kaq më tha, pra unë kam menduar që ai kishte sjell të gjithë komandantët, nëse nuk i kishte sjell do të më thoshte që nuk është këtu njëri prej komandantëve të zonave”, tha ai.
Dëshmitari u pyet edhe për situatën menjëherë pas luftës në Kosovë dhe ai sërish theksoi se nuk ka pasur dëshmi që shqiptarët kanë kryer dhunë të organizuar.
Duncan: Nuk kemi pasur dëshmi për dhunë të organizuar
“Ne nuk kemi pasur dëshmi se ka qenë dhunë e organizuar”, tha ish-diplomati britanik.
Të hënën, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun – gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime. Gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.
Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.
Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020./Kp