Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së, e ftuara e radhës në emisionin “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin, në TV Arbëria, ka folur për shumë të padëgjuara më parë për të.
Deliu: Kam punu mbi 8 vite si gazetare në Televizionin e Kosovës. I di mëngjeset sa të vështira kanë qenë…
Ajo flet edhe për punën e saj si gazetare dikur:
“Kam punuar 8 vite e gjysmë si gazetare në Televizionin e Kosovës. Gjithmonë i di mëngjeset sa të vështira kanë qenë për me caktu agjenda, me i siguru mysafirët, mos me t’i anulu në momentet e fundit”
“Këtë raportin me gazetarë, zakonisht në emisionet e para kur i kanë bërë gazetarët, kam pasë qejf me qenë”, thotë Deliu në “Përtej Tregimit”.
Ajo shprehet se ka pasur dëshirë gjithmonë t’u ndihmojë gazetarëve të rinj, pasi i di sfidat me të cilat përballen në fillim:
“Gjithmonë me idenë që pak a shumë me u mundu me ju ndihmu, sepse në gazetari më kanë ndihmu shumë njerëz tjerë që na i kanë mbush rubrikat tona. Dhe kam pas shumë për zemër që kudo që janë gazetarët me u mundu që të jem njëfarë ndihmese”, thotë ajo.
Deliu: Sa herë kthehem në Skenderaj te prindërit, më rikthehen copëzat e kujtimeve në banesën ku kemi jetuar
Deliu rrëfehet për fëmijërinë e saj, duke thënë se sa herë shkon në Skenderaj, i rikthehen kujtimet e fëmijërisë:
“Sa herë që kthehem në Skenderaj, ku më jetojnë nana e baba, i kam ato copëzat e kujtimeve në banesën ku kemi jetuar. Kam jetuar në një qytet të vogël, shumë të ngrohtë, me shumë njerëz të mirë, të virtytshëm, të dashur, duke dashtë me i ndihmu gjithmonë njëri-tjetrit. Një solidaritet i pashoq që unë mendoj është pak edhe karakteristikë e qytezave të vogla”
Deliu: Ende si fëmijë e kam para vetes fotografinë e familjes së Selman Vojvodës, një nga ushtarët që shkonin të kryenin ushtrinë e ktheheshin në arkivol
Duke e kujtuar fëmijërinë, ajo thekson se në rrethanat në të cilat ishin, kishte kujtime edhe të rënda:
“Thellë-thellë, në Skenderaj, i kemi njohur shumë herët betejat e mëdha, të ushtarëve që aso kohe vinin të kthyer në arkivole. Ende si fëmijë e kam para vetes fotografinë e familjes së Selman Vojvodës, një ushtar i hershëm i vrarë në mesin e shumë ushtarëve që shkonin për ta kryer ushtrinë dhe ktheheshin në arkivole për shkak të dhunës sistematike që e kishte bërë Serbia”
Blerta Deliu: Fotografia më e tmerrshme në jetë që e kam parë është ajo e familjes Jashari të masakruar
“Për mua, mbetet njëra prej fotografive më të tmerrshme në jetën time që kam parë. Është pamja e familjes Jashari të masakruar. Atë pamje nuk mundesh me pa as në filmat më të këqij, vrasje makabre e fëmijëve” shprehet tutje Deliu. /tv arbëria