Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ballafaqimit në emisionin “Debat Përnime”ndërmjet kandidatëve për kryetar të Komunës së Obiliqit, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje Halil Thaci , u zu haptas duke gënjyer publikisht. Dhe i njëjti këtë situatë që do të ishte e sikletshme për çdo kënd tjetër e kaloi me një buzëqeshje cinike. Duke nënkuptuar se mashtrimi publik tashmë është arma e tij politike për këtë betejë elektorale.
Mirëpo, i njëjti nuk ka bërë asnjë “shkarje morale” në përputhje me standardet e brendshme të partisë. A nuk shkruante në pamfletin politik të artikuluar nga Albin Kurtit, se anëtarët e këtij subjekti e kanë obligim që të shpërhapin sa më shumë thashethemnaja në opinion,si mjet për ta siguruar pushtetin, derisa në fund të mos mund të dallohet fakti nga trillimi, mashtrimi nga e vërteta si manipulimi nga sinqeriteti.
Pra Halil Thaci dje ka dëshmuar vetëm se si është shndërruar në njërin nga nxënësit më besnik të “filozofisë politike” të Albin Kurtit. Në fund të fundit, i pari mund t’ia parashtrojë vetës pyetjen pse të mos e aplikojë një metodë të tillë vulgare, kur ajo si e tillë i ka krijuar përfitime politike në një shkallë të paprecedent liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.
A nuk e premtonte Albin Kurti, se si me një të rënë të lapsit do ta ndryshonte Kushtetuesen e Kosovës, për t’i hapur rrugë bashkimit kombëtar. A nuk zotohej se me ta marr pushtetin do ta ndërpres dialogun me Serbinë deri sa kjo e fundit të kërkojë falje për krimet e ushtruara mbi popullin shqiptar dhe derisa Beogradi ta njoh pavarësinë e Kosovës, e t’i ktheje trupat e pagjetur, përkundër faktit se me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, u pajtua që të tejkalohet trashëgimia e së kaluarës. Apo edhe se si betohej se si xhipat e zi dhe truprojat e politikanëve me ta marrë pushtetin Lëvizja Vetëvendosje, do të ekspozohen si relikte të një epoke të errët politike, kur pushteti ishte i tjetërsuar deri në përmasa ekstreme nga baza popullore. E të mos e përmendim ndodhinë e djeshme se si gjatë mbledhjes së qeverisë mëtonte ta paraqiste reagimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për pezullimin e dialogut strategjik ndëmrjet Kosovës dhe SHBA-ve, që nuk ka bazë në qëndrimet diplomatike të Departamentit të Shtetit, etj
Në këtë kontekst, kjo liste e mashtrimeve, ndonëse është edhe më e gjatë, mbase shënon triumfin politik dhe shtrimin e terrenit për lulëzimin e atij prototipi të politikanëve që filozofi i njohur slloven, Slavoj Žižek e ka definuar si “epoka e re e mungesës së turpit” (A new age of shamelessness) /TV Arbëria