Shkruan: Afrim Kasolli
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e paska vazhduar avazin e njëjtë e relativizmit të krisjes së raporteve të fundit diplomatike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, për shkak të vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar dialogun strategjik me Prishtinën. Sipas tij bëhet fjalë për dallime dhe jo për prishje. Dhe se krejt kjo tymnajë është ma shumë propagandë e partive opozitare për ta rrënuar imazhin e tij politik se sa ka bazë reale.
Pra deklarimet e Ambasadës Amerikane se “veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, nuk janë qëndrime të Departamentit të Shtetit, por të Ambasadës, si dhe fryt i konspiracioneve të brendshme për ta helmuar vetwdijwn e qytetarëve tw Kosovës, kundër partisë fituese të zgjedhjeve. Dhe se të vërtetën për këto raporte nuk duhet kërkuar në komunikimet zyrtare të Ambasadës, por në zyrat e Qeverisë së Kosovës.
Sidoqoftë, ky pozicion i ri, reflekton një “avancim” të liderit të Vetëvendosjes në raport me SHBA-të. Pak çaste pas kumtimit të lajmit të sipër cekur, ndonëse Albin Kurti, ishte i heshtur për këtë temë, disa nga sejmenët e tij politikë e kualifikuan këtë tension si ndëshkim të padrejtë që po i bëhet këtij të fundit, me qëllim që tw minohen përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, për ta pamundësuar ndikimin Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore. Se në këtë mënyrë ka një aleancë të heshtur ndërmjet Uashingtonit dhe Beogradit, kundër Albin Kurtit. Madje shkuan deri atje sa e cilësuan këtë nismë të motivuar nga pretendimet për t’i krijuar terren të ri politik Millan Radoiçiqi-it. Justifikim ky që e ofendonte dhe dhunonte gjithë angazhim amerikan ne Kosovë. Ngase i njëjti nuk qenka në funksion të stabilizimit të brendshëm e të jashtëm të Kosovës, por i cenimit të tij.
Megjithatë, një interpretim i tillë nuk është asgjë tjetër, po ashtu, pos vazhdim i njw makro-qasje të kryeministrit në detyrë, për ta zëvendësuar faktin me narracionin e tij. Dhe atë jo vetëm në raportet e brendshme, por edhe me aleatet. Ngase ato nuk mund të jenë tjera, pos asaj që i definon lideri i Vetëvendosjes.
Kushdo që lexon dhe sheh një tjetër perspektivë është duke bërë këtë jo duke u bazuar në atë që është objektivisht, por nga qëllime malicioze kundër “pushtetit popullor”.
Është kjo strategjia e minimit të besimit njerëzor në komon sensin e përbashkët dhe zëvendësimin e tij gjithnjë e më shumë në një realitet ideologjik “ekstra human”, deri sa qeniet njerëzore ta humbin kontaktin e “natyrshëm” me realitetin qw i rrethon politikisht, dhe se të vërtetën e plotë të tij duhet ta shohin vetëm nëpërmjet narracionit të liderit. Ngase vetëm ai ne sajë të disa aftësive magjike është në gjendje ta kap atë nëpërmjet një “shqise të gjashtë intuitive” nga e cila janë të privuar “vdekatarët e rëndomtë”. /TV Arbëria