Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Ferizajt, Enver Haliti, ka akuzuar kryetarin aktual, Agim Aliu për keqmenaxhim të fondeve publike dhe mungesë të vizionit urban.
Sipas Halitit, gjatë mandatit të Aliut, rreth 50 milionë euro janë investuar kryesisht në dy nënkalime në qendër të qytetit, të cilat i cilësoi si “dy gropa betoni që kundërmojnë erë kanalizimi”.
Ai po ashtu ka theksuar se për njërin nga nënkalimet ekziston një raport i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, ku janë identifikuar 11 shkelje të mëdha ligjore, përfshirë uzurpim prone të kompanisë Infrakos dhe ndërtim të lokaleve pa leje.
“Për njërin nënkalim, të parin, kemi edhe një raport të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ku ka gjetur plot 11 shkelje të mëdha sa i përket ndërtimit të tij ku është në kontekst janë në gjykatë dhe po përballen me Infrakosin për shkak se iu ka uzurpuar prona Infrakosit, janë ndërtuar lokale aty pa lejen e tyre është dëmtuar infrastruktura nëntokësore”, ka thënë Haliti.