Gazetari Rid Berisha ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për të deformuar historinë e luftës në Kosovë, duke i quajtur ato të motivuara nga inate personale dhe përfitime politike.
“Nuk mund të rishkruhet historia as nga shpella, e as nga kafenetë. As me shpifje, as me interesa të ulëta,” u shpreh Berisha në një reagim publik.
Ai shprehu shqetësim për “masovitetin e dezinformimit” që, sipas tij, po përhapet me qëllim goditjen e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe figurave që udhëhoqën përpjekjet për liri.
“Si dëshmitar i asaj kohe, i tiranisë së Millosheviqit, i rezistencës së Rugovës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së, jam thellësisht i shqetësuar,” deklaroi Berisha, duke shtuar se po sulmohen njerëz që besuan në vlerat perëndimore dhe që morën vendime të dhimbshme për të shpëtuar popullin shqiptar.
Ai përmendi edhe deklaratat e fundit të zyrtarit amerikan James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, i cili sipas tij konfirmon rolin kyç të Hashim Thaçit dhe UÇK-së në ndërtimin e paqes dhe shtetësisë së Kosovës.
“Rusia ka tentuar të shtrembërojë narrativën që atëherë dhe vazhdon edhe sot. Por e vërteta nuk fshihet” tha Berisha.
Ai përfundoi me një mesazh optimist: “Kosova, UÇK-ja dhe protagonistët e lirisë besoj shumë se do të triumfojnë ndaj çdo fushate dezinformimi” /TV Arbëria