Ministri në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i cili është edhe politikani i preferuar i Albin Kurtit nga komuniteti serb, ka deklaruar në një intervistë për “RTV KiM”, se vendimi i SHBA-së për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për kohë të pacaktuar është një ndër paralajmërimet më të qarta të SHBA-së deri tani.
Rashiq ka zbuluar se dy ditë para këtij vendimi, ishte takuar me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Annu Prattipati, në një pritje, dhe se ajo në një farë mënyre e kishte paralajmëruar se kjo mund të ndodhte.
“Gjykata Kushtetuese konsiderohet si një nga organizatat më kompetente që deri më tani ka zgjidhur kryesisht raste të bllokimeve të tilla si ato që kemi tani. Ndoshta, jam i sigurt se kur të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne do ta respektojmë atë vendim në maksimum. Sinqerisht, nuk mendoj kështu, në këtë rast kjo nuk ishte arsyeja për paralajmërimin që përmenda më parë”, tha Rashiq.