Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Samiri, djali që u bë “viral” në TikTok – deri ku shkon humori me kurriz të fëmijëve?

Samiri, djali që u bë “viral” në TikTok – deri ku shkon humori me kurriz të fëmijëve?

Gazetare Melisa Ferizi

Në rrjetet sociale, çdo ditë lindin “yje” të rinj, por jo gjithmonë me dëshirën e tyre. Një ndër shembujt më të freskët është Samiri, një djalë i mitur, videot e të cilit janë bërë pjesë e qindra meme-ve e talljeve në TikTok dhe platforma të tjera.

Për shumë përdorues, Samiri është thjesht një figurë qesharake që gjeneron klikime e pëlqime. Mirëpo, përtej ekranit, ai është një fëmijë që ka të drejtë të mbrohet nga ekspozimi i tepruar.

Ky fenomen hap një debat të rëndësishëm: sa e dëmshme mund të jetë kjo “famë e imponuar” për rritjen e një fëmije? Çfarë ndodh me vetëbesimin e tij, me zhvillimin emocional, kur identiteti i tij lidhet me tallje e humor publik?

Në vend që të ngjallë kujdes e reflektim, rasti i Samirit është shndërruar në argëtim masiv. Videot e tij shpërndahen pareshtur, ndërsa askush nuk duket të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Sociologe Edona Salihu ka deklaruar për Televizionin Arberia se : “ Ekspozimi i hershëm publik, sidomos në formë talljeje, mund të lërë gjurmë të thella në personalitet ”. Në rastin e Samirit, kjo mbetet një pyetje e hapur: a do të shihet ai gjithmonë si “djali i meme-ve”, apo do të ketë mundësi të rritet e të shihet përtej kësaj etikete?

“Në ‘shoqërinë e spektalit” në të cilën sot po jetojmë gjithçka shihet si konsum publik. Në rastin konkret shpesh fëmijët ekspozohen para këtij fenomeni pa miratimin e tyre, kjo normalisht që mund të ketë pasoja negative te fëmiu.

Fillimisht sepse fëmijët ende janë në fazën e hershme të krijimit të identitetit të tyre personal dhe social, në këtë mënyrë përmes viralitetit të tyre ata fillojnë ta shohin vetën e tyre përmes prizmit të pëlqyeshmërisë në rrjete sociale, gjë që ndikon në vetëbesim të individit”, ka thënë sociologia Edona Salihu.

Në fund, mbetet reflektimi për shoqërinë: a jemi duke i përdorur fëmijët si argëtim, pa menduar për pasojat që kjo sjell për ta? /TV Arbëria