Partia Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
Zëdhënësi i PDK’së, Faton Abdullahu, i ka thënë se PDK’në do të përfaqësojë nënkryetarja Vlora Çitaku, e cila do të shpalos qëndrimin e kësaj partie lidhur me shtyrjen apo jo të zgjedhjeve.
“Nënkryetarja Çitaku e përfaqëson PDK në takim. Qëndrimet tona do t’i shprehim aty. Na intereson qëndrimi i qeverisë për situatën dhe aftësia e tyre për garantim të kushteve për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve”, ka deklaruar Avdullahu.
Presidenca e ka konfirmuar sot se presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Takimi do të mbahet nga ora 14:30, derisa mediave do t’u lejohet të marrin pamje në fillim të takimit.
Në këtë takim do të diskutohet situata e sigurisë në veri dhe pengesat që janë paraqitur për të garantuar një proces të sigurt zgjedhor në katër komunat veriore.
Për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve pas kërkesave nga SHBA dhe Gjermania që ato të shtyhen për shkak të incidenteve në veri të vendit, Presidentja Osmani është në pritje të një raporti të Komisionit Qendror Zgjedhor. /TV Arbëria