Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Osmani fton partitë për t’u konsultuar rreth zgjedhjeve në veri, AAK refuzon ftesën

Osmani fton partitë për t’u konsultuar rreth zgjedhjeve në veri, AAK refuzon ftesën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan

Kërkesa për shtyrje ka ardhur nga ambasadorët e QUINT-it ndërsa të paqarta janë rekomandimet e institucioneve të sigurisë.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve është shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila nuk do të shkojë në takim te presidentja Osmani.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, deklaroi se qëndrimi i tyre tashmë dihet dhe nuk e shohin të nevojshme të shkojnë në takim.

“Qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me Presidenten”, u shpreh Xhemaili.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit të parapara të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor. Në mbledhjen e së shtunës, janë certifikuar edhe 14 kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvend Komunal të Leposaviqit. /TV Arbëria 

Powered by WordPress