Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > 500 euro paga minimale, 10 euro në muaj transporti urban e ndërurban, 1 miliardë investime kapitale – Kurti jep premtimet nëse formon Qeverinë e re

500 euro paga minimale, 10 euro në muaj transporti urban e ndërurban, 1 miliardë investime kapitale – Kurti jep premtimet nëse formon Qeverinë e re

Mandatari i VV-së për kryeministër, Albin Kurt ka dhënë disa premtime në rast se arrin ta formojë Qeverinë e re.

Ai ka premtuar përshpejtim të rritjes ekonomike dhe mëse 1 miliardë investime kapitale në vit.

Kurti po ashtu ka premtuar rritjen e pagës minimale në 500 euro.

“Do të përshpejtojmë rritjen ekonomike me mbështetje të ndërmarrjeve prodhuesve dhe inovacionit, do të rrisim pagat, pensionet dhe mbështetjen sociale…Synimi ynë është që investimet kapitale të kalojnë 1 miliardëshin në vit. Do të sigurojmë edhe shumë vende tëeja të punës për të tejkaluar shifrën e gjysmë milioni të punësuar në Kosovë..

Do të vazhdojmë punën për arsim cilësor e shëndetësi efikase. Do ta rrisim edhe më tej prodhimtarinë dhe eksportin dhe do të kujdesemi që të kemi më shumë siguri energjetike.

Në mandatin e ardhshëm do ta nisim valutën digjitale të Kosovës, e bazuar në blockchain dhe e krijuar nga shteti, do të përdoret për pagesa…Me këtë e vendosim Kosovën në qendër të zhvillimeve më të fundit teknologjike.

Transporti publik në vendin tonë është një ndër fushat ku kërkohet shumë angazhim andaj do të fillojmë me jetësimin e programit anembanë. Do të krijojmë rrjet të integruar të transportit publik në tërë territorin e vendit, fillimisht në trafikun urban e më tej edhe ndërurban. Integrimi do të jetë nëpërmjet biletës mujore të integruar. Secili shfrytëzues do ta ketë mundësinë të udhëtojë anembanë Kosovës, pa pasur nevojë për biletë tjetër duke përdorur transportin urban dhe ndërurban. Bileta do të jetë e subvencionuar, synimi është që me 10 euro në muaj secili të ketë mundësi të shfrytëzojë programin anembanë.

Për prodhimtarinë dhe ndërmarrësinë do të veprojmë përmes Bankës Zhvillimore, programit 1 miliardë euro për prodhim dhe ndihmesë bizneseve. Secili investitor do të ketë mundësi të përfitojë nga garancia që shteti do të ofrojë për kreditë e nevojshme për investim.

Këtë mandat të ri e nisim me projektin e madh ‘Brezovica’. Do të investojmë deri në gjysmë miliardi në infrastrukturë rrugore, akomodime moderne, pista të reja e rrjet bashkëkohor të teleferikut.

Gjatë mandatit të ardhshëm, paga minimale do të rritet mbi 500 euro”, ka deklaruar Kurti para Këshillit të Përgjithshëm.