Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një letër Kuvendit të Kosovës për të kërkuar komentet e deputetëve lidhur me ankesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e partive joshumicë. Ajo që bie në sy është fakti se letra nuk iu drejtua tashmë Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, por Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi.
KALLXO.com ka siguruar këtë letër nga burime zyrtare, ku shihet se Kushtetuesja i drejtohet drejtpërdrejt Loshit për komentet që, sipas procedurës, duhet të merren nga deputetët në lidhje me ankesat e dërguara në Gjykatë, në këtë rast për ankesën e Listës Serbe. Përveç komenteve kërkohet edhe dokumentacioni tjetër i seancave, përfshirë transkriptet e vendimet.
Pasi Kuvendi tashmë ka zgjedhur kryetarin dhe është shpallur i konstituar nga kryeparlamentari Basha, KALLXO.com ka pyetur se cilat kanë qenë praktikat e mëparshme në raste të ngjashme: a i janë dërguar kërkesat Zëvendës Sekretarit edhe kur Kuvendi ka pasur Kryetar?
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm, Arben Loshi, të cilit iu drejtua kërkesa e Kushtetueses, tha për KALLXO.com se, kur Kuvendi është i konstituar, komentet e deputetëve kërkohen nga Kryetari i Kuvendit, ndërsa dokumentacioni përcjellës nga Sekretari i Përgjithshëm.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë rast, pasiqë të dyjat i janë kërkuar Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm. Në kërkesën që i është dërguar zv.Sekretarit, Kushtetuesja ka kërkuar edhe shpërndarjen për komente te deputetët edhe transkriptet e seancave.
“Prej përfundimit të legjislaturës së tetë, të gjitha shkresat janë dërguar te unë dhe unë i kam përcjellë tek deputetët. Sa herë që kërkohet dokumentacion nga Kuvendi, ai kërkohet prej meje. Në rastet kur Kuvendi është i konstituar dhe kërkohen komente nga Kushtetuesja, ato u dërgohen Kryetarit” – tha Loshi për KALLXO.com.
Kur KALLXO.com e pyeti sërish nëse kjo nënkupton që Gjykata Kushtetuese nuk po e konsideron Kuvendin si të konstituar, Loshi u përgjigj: “Nuk e besoj për ata, por i kanë lyp vetëm komentet prej deputetëve dhe i kanë lypë prej meje dokumentacionin e seancave dhe me shpërnda krejt me dokumentet e Listës Serbe që me ia përcjell deputetëve”.
Ai përsëriti se: “Kur Kuvendi është i konstituar, kërkesat për komente i dërgohen Kryetarit për t’ua përcjellë deputetëve, ndërsa mua të dërgoj dokumentet”.
“Luteni që një kopje të këtyre kërkesave t’ua shpërndani të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjithashtu, ju lutemi t’i njoftoni të gjithë deputetët se mund të paraqesin komentet e tyre, nëse kanë, jo më vonë se më 9 shtator 2025”- shkruan në kërkesën e Kushtetueses drejtuar Loshit.
Poashtu, në paragrafin mëposhtë kërkohen edhe dokumentet relevante në lidhje me këtë çështje, përfshirë transkriptet e seancave dhe vendimet që janë marrë prej kur ka hyrë në fuqi Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Kushtetuese nëse mungesa e komunikimit me kryeparlamentarit Basha, e në vend të tij me Loshin, do të thotë që Kushtetuesja nuk e konsideron Kuvendin të konstitiuar, mirëpo të njëjtit nuk kanë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.