Nga 6 deri më 12 tetor 2025, biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hap dyert për edicionin e njëzet e dytë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, me temën: Biblioteka mes traditës dhe inovacionit.
Kjo ngjarje tashmë tradicionale e kthen librin, kulturën dhe bibliotekën në qendër të vëmendjes publike.
Këtë vit, aktiviteti vjen me një koncept të ri, duke vënë theksin te roli i bibliotekës si urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimeve moderne. Përmes programit ndërkombëtar, ngjarja sjell përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Bullgarisë, Turqisë, Maqedonisë së Veriut si dhe prezantimin e veçantë të bibliotekës personale të profesorit Karl Kaser, transmeton KultPlus.
Java e Bibliotekës do të ofrojë një mori aktivitetesh të hapura për publikun si:
Sesione shkencore dhe panele diskutimi, ku ekspertë të fushës do të trajtojnë sfidat dhe perspektivat e bibliotekave sot.
Aktivitete edukative dhe kulturore, që synojnë përfshirjen e brezit të ri në dashurinë për librin.
Ekspozita tematike, ku vizitorët do të mund të njihen me koleksione të rralla dhe materiale të veçanta.