Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po e shndërron Vetëvendosje KQZ-në në teatër, për të fituar atë që kishte dështuar ta bënte gjatë një mandati?

Si po e shndërron Vetëvendosje KQZ-në në teatër, për të fituar atë që kishte dështuar ta bënte gjatë një mandati?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka ditë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shndërruar në teatrin kryesor të betejës politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Dy nga përfaqësuesit e këtij subjekti politik janë duke i prirë kryqëzatës kundër Listës Serbe me qëllim për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen këtij subjekti politik në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. E njëjta logjikë po e mban peng edhe konsitituimin e Kuvendit të Kosovës. Lufta për privimin e kësaj partie që te këtë pushtet si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal është duke karakterizuar adrenalinën elektorale të këtyre zgjedhjeve. Sloganet e ekspozuara publikisht gjatë mbledhjes së këtij institucioni si “po pluralizmit dhe jo terrorizmit” janë vetëm disa nga parullat e njohura me synim amplifikimin e këtij narracioni nacional.

E gjithë kjo beteje titanike e partisë fituese të zgjedhjeve nuk ka dyshim se motivohet nga tendenca për  tërhequr një paralele ndërmjet sistemit juridik, partive të “regjimit të vjetër” dhe Listës Serbe. Madje duke mos përjashtuar as Ambasadat e shteteve perëndimore në Kosovë. Dhe se në fund çlirimi nga ndikimi politik i Listës Serbe,  nuk mund të arrihet pa fitoren mbi të parat. Prandaj edhe sulmi i eksponentëve të Vetëvendosjes është frontal dhe pa dallime.

Po ashtu, kjo parti me anë të kësaj fushate të orkestruar, ka për objektiv ta maskojë atë që kishte dështuar ta bënte institucionalisht për një mandat të plotë qeveritar. Me përkrahjen e deputetit Partisë së Bashkuar Gorane, Adem Hoxha, i njohur ndryshe për afërsinë e tij me partinë kryesore të serbëve të Kosovës i hapën rrugë krijimit të institucioneve të daluara nga zgjedhjet parlamentare të viti 2021. Me këtë rast nuk duhet harruar faktin se ishte një kohë, kur kryeministri Albin Kurti e çmonte kontributin e zyrtarit të këtij subjekti Goran Rakic për rolin e tij në barrikada në veri të Kosovës. I pari e mbronte opinionin se i dyti ishte aty për ta qetësuar situatën. Ndërkohë, ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhërarrest pasi nuk i është përgjigjur ftesës së drejtësisë lidhur me hetimet që po zhvillohen për atë ngjarje.

Ndërkaq,  përgjimet telefonike të publikuara me herët kishin dëshmuar për komunikimet ndërmjet ish-Shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiq, derisa ishte si nënkryetar i Listës Serbe. E të mos flasim për koordinimin politik të saj me Sllavko Simiq. Në anën tjetër, deri më tani po ashtu Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dëshmuar se ka ndërmarr veprime serioze në drejtim përjashtimit të Listës Serbe nga jeta politike.

Në këtë kontekst, pas dështimit për një mandat të plotë qeverisës tashmë Lëvizja Vetëvendosje me të gjitha forcat është angazhuar për ta shndërruar këtë fakt në fitore elektorale. Kurse subjektet opozitare edhe pse e kishin këtë mjet në dorë, tashmë nuk po arrijnë ta gjejnë vetën në këtë temë jo popullore. Përkundrazi, janë të heshtura. Përfaqësuesit e tyre në KQZ thuajse janë pa zë në publik. Dhe po i shkojnë pas agjendës së Vetëvendosjes nga frika se duke ju kundërvënë do të humbin edhe më shumë.

Pra ato janë pozicionuar që ta ruajnë ndikimin e tyre pikërisht nga disfata shtetërore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe përpjekja e saj për ta shndërruar atë në fitore momentale politike.