Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Pas këtij akti historik, Asambleja kishte ftuar të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqeshin që të përhapej, paraqitej, lexohej dhe të shpjegohej, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.
Asambleja e Përgjithshme e kishte shpallur këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm, të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.
Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. /TV Arbëria