Dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Veton Zogaj dhe Dardan Krasniqi, janë përfshirë në një debat publik në rrjetet sociale lidhur me zgjedhjen e shkollimit privat për fëmijët dhe qëndrimin ndaj arsimit publik.
Shkak për debatin u bë një postim i Veton Zogajt, i cili uronte fillimin e vitit të ri shkollor dhe publikonte një foto të djalit të tij, Shendit, para objektit të shkollës private Zenit School. Në urimin e tij, Zogaj u shpreh se 1 Shtatori shënon një “fillim të ri drejt dijes dhe suksesit” dhe falënderoi mësimdhënësit për përkushtimin e tyre.
Megjithatë, ky postim nxiti një reagim nga Dardan Krasniqi, një tjetër aktivist i VV-së në Malishevë, i cili shprehu habinë se pse një aktivist i Vetëvendosjes zgjedh të ndjekë shkollat private, ndërkohë që partia e tyre shpesh promovon arsimin publik si prioritet.
Krasniqi komentoi: “Urime i priftë e mbara! Hapi i parë në shkollë është porta që hapet drejt dijes dhe ëndrrave… e çuditshme se si po i ndjekni shkollat private! Athua pse i dashun Veton!
E këndej plotë gojën institucion shtet e këndej nuk i besoni publikes!”
Ky koment ka hapur diskutime më të gjera mes përkrahësve të dy aktivistëve dhe ka rikthyer në vëmendje temën e arsimit privat kundrejt atij publik në Kosovë.
Ndërkohë që Vetëvendosje si parti promovon me fjalë përmirësimin e cilësisë së arsimit publik, raste të tilla ngrenë pyetje mbi koherencën midis qëndrimeve politike dhe zgjedhjeve personale të përfaqësuesve dhe aktivistëve të saj.