Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Një nënë e djegur nga lufta që kurrë nuk gjeti qetësi

Një nënë e djegur nga lufta që kurrë nuk gjeti qetësi

Shkruan: Agron Limani

 

U shua Zepa e mjerë, gruaja që u dogj për së gjalli nga dhimbja, pasi serbët i vranë bashkëshortin dhe të vetmin djalë që kishte.

Zepa Shehu humbi gjithçka në masakrën e marsit të vitit 1999: burrin, fëmijën e vetëm, Ajvazin, dhe shtatë të tjerë nga familja e saj e gjerë. Në një ditë u shua një botë e tërë. Por ajo nuk u dorëzua kurrë. Me zemrën që digjte përbrenda, jetoi me shpresën se djali i saj do të dilte i gjallë nga burgjet serbe.

Ashtu i thonin, ashtu e mashtronin:

“Është i gjallë, Zepë. Do të kthehet.”

Edhe kur mbetjet mortore të Ajvazit u identifikuan, ajo nuk pranoi. Nuk mundi. Zemra e një nëne nuk dorëzohet kaq lehtë.

Vajtoi e ofshani rrugëve të fshatit, mallkonte e kujtonte: “Oh çka na bënë shkiet e Krushës së Vogël!” Ajo i kishte lutur serbët e fshatit të mos ia vrisnin Ajvazin, djalin 15-vjeçar, por ata e kishin kërcënuar edhe atë me vrasje.

-Pasi na i morën djemtë, ne filluam të hymë në shumë shtëpi të serbëve, me shpresë se do të na ndihmonin, por pa sukses. U futa edhe në shtëpinë e Spirrës duke e njoftuar se djali yt, Zlatko Đorđevič, më mori edhe fëmijën tim Ajvazin, por edhe ai as që e qau kokën, por së bashku me bashkëshortën e tij me përbuzje më tha:

– “largohu se mund të të gjej edhe ty i njëjti fat”.

Nënë e djegur nga lufta, ajo nuk gjeti kurrë qetësi. E shihje shpesh të endet rrugëve të fshatit, duke folur me vete – ndoshta me të birin. E vetme, e lodhur nga pritja dhe lotët. Kur shihte fëmijët, ndalej e u fliste – ndoshta ata ia hiqnin mallin për Ajvazin e saj të shtrenjtë.

U prehsh në paqe pranë më të dashurve të tu!