Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke thënë se kërkimfalja e tij publike nuk është e mjaftueshme.
Në reagimin e tyre thuhet se qëndrimet e Bashës, të shprehura në një punim shkencor të vitit 2012, cenojnë luftën çlirimtare dhe UÇK-në, duke rënë ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit.
“Respekti ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë, është i panegociueshëm. Për këtë arsye, Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagim.
Organizatat njoftuan se tashmë u kanë dërguar një kërkesë zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Bashës dhe janë në pritje të veprimeve të tyre
Reagimi i plotë:
Kërkimfalja e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, nuk mjafton.
Qëndrimet e shprehura në punimin e tij shkencor të vitit 2012, ku është cenuar lufta jonë çlirimtare dhe UÇK-ja, bien ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit, si dhe me respektin ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë.
Për këtë arsye, qëndrimi ynë mbetet i qartë: Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
Jemi në pritje të iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve tashmë u kemi drejtuar një kërkesë zyrtare për këtë çështje.