Shkruan: Afrim Kasolli
Në historinë e demokracive parlamentare, kolapsi i Republikës së Vajmarit ka mbetur si nju shembull eklatant se si një demokraci nuk e mbron kushtetuta nëse nuk ka vullnet politik për të vepruar në koherencë me normat e saj. Pas shembjes se Gjermanisë Imperiale në fund të Luftës së Parë Botërore, ky shtet u shndërrua ne republikë parlamentare me një sistem te fragmentarizuar partiak që kohë pas kohe e paralizonte jetën e brendshme politike.Kushtetuta e kësaj republike u hartua në vitin 1919 duke marrë në konsideratë vizionin e figurave më të shquara të kohës sikur se juristi Hugp Preuss e sociologu Max Weber. Ajo i sanksionoi liritë civile, i zgjeroi të drejtat e grave, si dhe i avancoi të drejtat e punëtorëve. Por siç ka pohuar Daniel Ziblatt në shkrimin e fundit në “Warnings From Weimar-Why Bargaining With Authoritarians Fails” të botuar në Foregin Affairs, asnjëra nga këto arritje doktrianare nuk mjaftuan për ta mbrojtur atë si dhe për ta penguar shembjen e rendit republikan. Sepse në momentet vendimtare dhe në kulmin më të madh të krizës politike, secila prej forcave tradicionale kalkuluan se bashkëpunimi me partinë Nacional Socialiste, do të ishte më i dobishëm për to, se sa bashkimi i tyre për t’iu kundërvënë kësaj force ekstreme politike.
Ne këtë kontekst, sipas autorit të librit “How Democracies Die” asnjë kushtetutë demokratike nuk e mbron vetveten nëse drejtuesit dhe institucionet demokratike, nuk reagojnë për ta mbrojtur atë, pavarësisht nga shkalla e kërcënimit.
Në këtë rast, as rënia e Republikës së Vajmarit nuk ishte një domosdoshmëri politike. Përkundrazi, Partia Naziste nuk e fitoi kurrë mbështetjen e shumicës së elektoratit gjerman. Ajo i mori deri në 30 për qind të trupit elektoral. Por disa nga drejtuesit kryesor të kohës i bënë llogaritë gabim. Kështu “Hugenberg besonte se mund ta përdorte Hitlerin për të ringjallur lëvizjen e tij konservatore. Von Papen besonte se mund ta kontrollonte Hitlerin pasi ta bënte kancelar. Kaas besonte se dorëzimi përballë kërkesave të Hitlerit do ta mbronte partinë e tij dhe do të fitonte kohë për një rezistencë më të madhe. Të gjithë gabuan”.
Prandaj, ky rast ka mbetur si sinjal alarmues se si demokracitë “rrallë vdesin në një moment vendimtar” Ato gërryhen gradualisht nga brenda përfundon ky autor, teksa ata që kanë pushtet dhe ndikim i thonë vetes se dorëzimi i një pjese të vogël do t’i mbrojë, ose se gjetja e një gjuhe të përbashkët me një përçarës është më praktike sesa qëndrimi kundër tij”. Mësimi bazik i këtij dështimi mbetet se “ekstremizmi nuk fiton kurrë i vetëm” . Pra, fitorja e tij bëhet e mundur ngase të “tjerët e mundësojnë—për shkak të ambicies së tyre, frikës, ose sepse e gjykojnë gabimisht rrezikun e lëshimeve të vogla. Në fund, megjithatë, ata që fuqizojnë një autokrat shpesh dorëzojnë jo vetëm demokracinë, por edhe vetë ndikimin që dikur shpresonin ta ruanin”