Agim Bahtiri, deputet i Vetëvendosjes ka thënë se më përpara do ta priste dorën, se të jepte votë për Listën Serbe.
“Nuk i jap votë! Nuk i jap sepse nuk mund të harroj gjenocidin që shteti të cilin ata e mbrojnë bëri mbi popullin tone”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Tutje Bahtiri pasi ka përmendur shifra të të vrarëve e dhunuarve në luftën e fundit, ka thënë se Lista Serbe duhet të jetë në burg.
“Nuk mund të lejojmë që në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës të marrin pjesë njerëz që e mbrojnë po atë gjenocid, sikurse gjatë seancës së sotme që nuk u ngritën në këmbë, për ta respektuar jetën dhe veprën e luftëtarit të UÇK-së, Hilmi Ramadani.
Pra kjo është Lista Serbe, për kandidatët e së cilës, opozita nuk po guxon që të votojë KUNDËR tyre. Ky është turpi më i madh. Kjo opozitë, ku shumë deputetë të saj thirren në emër të luftës, abstenojnë për Listen Serbe e disa prej tyre e shkelin kushtetuten duke mos votuar fare, vetëm e vetëm që të mos ia prishin terezinë Listës Serbe!”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.