Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, ku një 24-vjeçare ka humbur jetën në një poligon në rrugën “Dritan Hoxha” në Prishtinë, ku TV Arbëria kishte raportuar ekskluzivisht për ngjarjen. Sipas informacioneve ajo ishte plagosur nga arma e zjarrit dhe menjëherë ishte dërguar në QKUK, por nuk ka arritur të mbijetojë nga plagët.
“Mbrëmë, rreth orës 19:30, është raportuar se në një poligon në rrugën ‘Dritan Hoxha’ në Prishtinë, një femër është plagosur me armë zjarri. Menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, nga ku rreth orës 22:00 është konfirmuar vdekja e viktimës femër, L.S, 24 vjeçare”, tha policia.
Policia shtoi se njësitet e saj kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
“Në kuadër të hetimeve, është arrestuar një zyrtar përgjegjës i poligonit dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”.
“Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili me urdhër të prokurorit është iniciuar si Vetëvrasje, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasojë vdekjen”, tha policia.