Ibadete Hasani, nëna e 10-vjeçarit që u aksidentua rëndë më biçikletë, ka kërkuar paraburgim për personin që dyshohet se shkaktoi aksidentin, e për të cilin as që ka njohuri se kush është.
Ajo ka akuzuar për racizëm në rastin e djalit.
“Ani që jam ashkalike, po du me kanë edhe ai pak në burg se nuk është mirë që ma ka kall mu zemrën qështu…Nuk është mirë qështu me lanë djalin e hajt ashkalike kjo. Insana jena krejt. Allahu na ka falë tanve njerëz. Nuk ka dallim njani prej tjetrit”, ka deklaruar Hasani për Reporteri.net.
Hasani thotë se Policia i ka thënë se i njëjti ndodhet në paraburgim, por sipas burimeve të Reporteri.net brenda Prokurorisë, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Për rastin është deklaruar edhe Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Siç bëhet e ditur, 10 vjeçari u pranua fillimisht në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik, pas transferimit nga Klinika Emergjente, me gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e politraumës, ku mori trajtimin e nevojshëm.
Pas 17 ditësh qëndrimi në kujdes intensiv, para dy ditësh, 10 vjeçari është transferuar në Repartin e Neurologjisë Pediatrike, me parametra vitalë stabilë, duke vazhduar trajtimin e nevojshëm dhe nën mbikëqyrje të plotë nga stafi shëndetësor, bëhet e ditur në njoftim.
Aksidenti kishte ndodhur me 10 gusht.
“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME TRUPORE – Rr. Fushë Kosovë-Prishtinë / 10.08.2025 – 10:10. Ka ndodhë një aksident trafiku me lëndime, ku të përfshira kanë qenë një automjet me targa vendore me drejtues mashkull kosovar, dhe një biçikletë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit drejtuesi i biçikletës mashkull kosovar ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është duke marrë tretman mjekësor në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, kishte njoftuar Policia, përmes raportit 24 orësh.