Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Ka rrejt kundër UÇK-së” – Paralajmëron Gucati: Të shkarkohet Dimal Basha ose “shihemi në protestë”

“Ka rrejt kundër UÇK-së” – Paralajmëron Gucati: Të shkarkohet Dimal Basha ose “shihemi në protestë”

Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK, në një prononcim për TV Arbëria ka folur për letrën që i kanë dërguar partive politike, me kërkesë për shkarkimin e kryeparlamentarit të sapozgjedhur, Dimal Basha.

Gucati tha se Basha nuk duhet të jetë kryekuvendar pasi ka fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Nuk ka nevojë për shumë koment për shkarkimin e tij. Ju e dini fyerjet që i ka bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe më parë, edhe tash, përmes një punimi shkencor të vitit 2012. Kemi arsyetime të plota pse ky njeri nuk duhet të mbajë një pozitë kaq të rëndësishme si kryetar i Kuvendit, për shkak të fyerjeve ndaj UÇK-së” tha Gucati.

Ai akuzoi Bashën se ka gënjyer dhe ka zhvilluar një “luftë speciale” kundër UÇK-së.

“Ky njeri ka gënjyer hapur, duke thënë se UÇK-ja u formua mbi bazën e krimeve. Ky është një mashtrim i madh, një gënjeshtër që synon të krijojë konfuzion në opinion, veçanërisht në momentet kur ne protestojmë kundër Gjykatës Speciale. Ne organizuam protestën e parë më 7 gusht dhe do të kemi protestën e dytë më 14 shtator në Hagë. Ai tani pretendon se nuk ka qenë pjesë e këtyre, por bashkëpunëtor” shtoi Gucati.

Kryetari i OVL-UÇK paralajmëroi se nëse kërkesa për shkarkimin e Bashës nuk merret parasysh nga deputetët, do të ketë protesta në rrugë.

“Ne kemi kërkuar nga të gjitha partitë politike që ta marrin iniciativën dhe ta shkarkojnë Dimal Bashën. Nëse nuk ndodh kjo, nuk na mbetet rrugë tjetër përveç protestës në rrugë, dhe ajo nuk do të jetë e qetë” paralajmëroi ai.

Gucati shtoi se vendimi mbetet në ndërgjegjen e deputetëve.

“Ka reagime nga deputetët, por unë nuk kam biseduar ende me partitë politike. Ata vetë e kanë votuar Bashën, prandaj nuk kam shumë shpresë të bisedoj me ta. Ne ua kemi dërguar letrën dhe tani mbetet në ndërgjegjen e tyre. Nëse nuk veprojnë, do të dalim në rrugë, edhe pse nuk preferojmë këtë rrugë, por po na detyrohet” përfundoi Gucati. /TV Arbëria