Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe liberalizimi i tregut i kanë dhënë pasojat e para.
DhTIK ka bërë të ditur se sipas ASK-së, çmimet e prodhimit pësuan ngritje për 4,1% ndërmjet TM2 2025 (prill, maj, qershor).
“Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16,7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9,3%); prodhimi i veshjeve (6,7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4,2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2,5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1,6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (1,4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0,8%); nxjerrja e xehes së metalit (0,3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0,3%); prodhimi i tekstilit (0,2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0,1%).”, thuhet në komunikatë.
Tutje në njoftim thuhet se këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës.
“Prandaj, DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike.”, bëhet e ditur në komunikatë.