Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Shatri paralajmëron greva në arsim, por “pas konstituimit të institucioneve”: Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, do të ketë veprime sindikale

Shatri paralajmëron greva në arsim, por “pas konstituimit të institucioneve”: Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, do të ketë veprime sindikale

Blendor Shatri, ekspert ligjor në SBASHK, ka qenë i ftuar në emisionin n’Pult në TV Arbëria, ku ka folur për fillimin e vitit të ri shkollor dhe nëse mund të ketë greva.

Ai ka njoftuar se tani për tani janë shtyrë veprimet sindikale deri në konstituimin e Kuvendit, por nuk i përjashton tërësisht.

“SBASHK-u ka mbajtur kongresin e nëntë të jashtëzakonshëm të sindikatës, ku në atë kongres është vendosur që më së largu deri më datën 20 gusht, në qoftë se nuk ka lëvizje pozitive sa i përket dialogut social nga Ministria e Arsimit si dhe Qeveria e Kosovës, atëherë autorizohet Këshilli Drejtues të ndërmarrë hapa sindikal. Mirëpo, duke e parë që deri më datën 20 gusht institucionet nuk janë konstituuar dhe nuk kemi institucione të gatshme me të cilat do të kemi dialog social dhe të ulemi në tavolinën e bisedimeve që të arrijmë t’i shtjellojmë kërkesat që vijnë nga anëtarësia e SBASHK-ut dhe përmes SBASHK-ut drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, kryesia e ka parë të udhës që këto veprime të shtyhen deri në konstituimin e institucioneve. Pas konstituimit të institucioneve, atëherë do t’ju drejtohemi me kërkesa fillimisht, e pastaj, duke shpresuar shumë se tani e tutje dialogu social do të funksionojë në formën e duhur, siç edhe duhet në vendet demokratike, do të arrijmë t’i zgjidhim kërkesat që ka anëtarësia e SBASHK-ut drejtuar institucioneve”, ka thënë ai në emisionin n’Pult.

Ai thotë se nëse nuk iu merren parasysh kërkesat nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, atëherë do të ketë greva.

“Nëse edhe pas konstituimit dhe pas përpjekjeve për biseda nuk do të arrihen të zgjidhen kërkesat, atëherë Këshilli Drejtues e ka të hapur rrugën që të fillojë me vendimin për të marrë hapa sindikal, duke u bazuar në Ligjin për Grevën dhe organizimin sindikal,” ka thënë ai.

Disa nga shqetësimet e SBASHK-ut janë mungesa e kontratës kolektive dhe mungesa e dialogut social.

“Mungesa e dialogut social, mungesa e nënshkrimit të kontratës kolektive, jemi ndër vendet e vetme në Evropë që s’kemi kontratë kolektive të punës – pastaj është ngritja e pakënaqshme e pagës në sistemin e arsimit, si dhe mosgatishmëria e tyre të ulen që të gjejmë zgjidhje” ka thënë ai në TV Arbëria.

Emisioni: