Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Gecaj: Vuçiq mund t’i përdorë dy skenarë për veriun, të dyja të disfavorshme për Kosovën

Gecaj: Vuçiq mund t’i përdorë dy skenarë për veriun, të dyja të disfavorshme për Kosovën

“Të gjitha lojrat politike që po luhen mes ish-opozitës dhe opozitës ndikojnë edhe në aspektin e sigurisë”, kështu deklaroi analisti Hysen Gecaj në Arb Debat në TV Arbëria.

Ai, duke folur për temat politike dhe të sigurisë në vend, ka thënë se “lojrat politike” po ndikojnë edhe në komunat veriore.

“Të gjitha lojrat politike që po luhen mes ish-opozitës dhe opozitës ndikojnë edhe në aspektin e sigurisë. Sepse ne e dimë që veriu është një regjion ose, ato katër komunat në veri janë shumë të përshtatshme për shfrytëzim në kuptimin qoftë pozitiv qoftë negativ të atyre që janë të interesuar me i shfrytëzu për aspektet e sigurisë për stabilizim ose destabilizim”, ka thënë ai në Arb Debat.

“Politika kosovare nuk është shumë e preokupume për sigurinë në veri. Për disa interesa politike momentale po dëmtohen interesat e shtetit”

Ai shton se partitë politike në Kosovë nuk po i vendosin në rend të parë interesat e shtetit.

“Politika jonë në Kosovë nuk është shumë e preokupume me aspektet e sigurisë në veri. Për shkak të interesave politike, disa përfitime të vogla taktike momentale, po dëmtohen ato interesa afatgjata-strategjike të Kosovës, të cilat nuk do të duhej që për shkak të interesave të ngushta qofshin ato grupore-individuale ose partiake të pësojnë disfatë interesat shtetërore, interesat e vendit”, ka thënë Gecaj.

Ai tutje, duke folur për kryetarët e zgjedhur në komunat veriore, thotë se vetëm janë rritur problemet në këtë aspekt.

“Ato institucione atje komunale janë në shërbim të popullatës të atyre komunave dhe kur popullatën e ke të ndarë veçmas dhe zyrtarët komunal janë aty vetëm sa për të përmbush disa kritere ligjore, atëherë nuk mund të themi se kemi një bazë të mirë për stabilitet. Faktikisht aty i bjen që vetëm sa e kemi zvarrit dhe e kemi shty më tutje disa probleme”

“Listën Serbe kemi pas mundësi me shpall organizatë terroriste, nuk e kemi ba – tash Vuçiqi e ka një mjet të fortë në dorë që mund ta përdor në zgjedhjet lokale”

Gecaj, duke folur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, mund ta përdor Listën Serbe në këto zgjedhje.

“Listën Serbe kemi pas mundësi me shpall organizatë terroriste, por nuk e kemi ba. Ajo tash është një mjet i fortë në duart e Vuçiqit i cili mund ta përdor në këto zgjedhje në veri”

Vuçiq mund t’i përdor dy skenarë për veriun; Të dyja të disfavorshme për Kosovën.

Sipas tij, janë dy skenarë që mund t’i përdor Vuçiq në veri dhe të dy këto skenare janë jo të mira për Kosovën.

“Mund t’i përdor në dy opsione: ose t’i bind popullatën që prapë mos të marrë pjesë në këto zgjedhje duke u arsyetu se këto zgjedhje janë jo demokratike, ose edhe duke i leju të marrin pjesë në këto zgjedhje demokratike të krijohen institucionet vendore nën logon e shtetit të Kosovës por me njerëzit që janë të dëgjueshëm për Serbinë dhe nga këto institucione të kontrollojë popullatën përsëri në veri”, tha ai në Arb Debat.

Në fund, Gecaj theksoi se për një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme ndërhyrja ndërkombëtare.

“Është shumë e qartë që Kosova dhe Serbia nuk mund të merren vesh mes veti pa një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare”, thotë Hysen Gecaj në TV Arbëria.

Emisioni i plotë: