Zgjedhja e Dimal Bashës si Kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të forta në opinionin publik, pas publikimit të një artikulli ku pretendohet se Basha, në të kaluarën, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.
Reagimi më i ashpër ka ardhur nga analisti Afrim Kasolli, i cili në një postim publik e ka cilësuar këtë zhvillim si “turp me emër” dhe si një goditje ndaj trashëgimisë së UÇK-së.
“Turpi ka emër. Ai u vulos dje. Me ndihmën e një pjese të PDK-së, në krye të Kuvendit u zgjodh ai që dikur ka shkruar pamflete kundër UÇK-së, të cilat fqinjërojnë me propagandën ruse dhe serbe,” ka shkruar Kasolli.
Ai shtoi se ky akt nuk mund të pastrohet me dorëheqje dhe e cilësoi votimin si një veprim “të palavdishëm kombëtar”.
“Nuk ka akt që e shpërlan këtë votim të kobshëm të atyre që i ngritën dy gishta pro Bashës. Dorëheqja nuk mjafton për këtë veprim të palavdishëm kombëtar. Dita e djeshme do mbahet mend si dita kur në altarin e shtetit u fronëzua fryma anti-UÇK, edhe me ndihmën e atyre që pretendojnë se e mbrojnë atë trashëgimi,” përfundoi Kasolli.
Derisa reagimet ndaj zgjedhjes së Bashës vazhdojnë, vetë ai ende nuk ka komentuar publikisht mbi artikullin dhe akuzat që i atribuohen.