Numri i vizitorëve kosovarë që zgjodhën Shqipërinë si destinacion turistik ka shënuar rënie gjatë këtij viti, duke thyer trendin e viteve të mëparshme kur turizmi në vend ishte në rritje të vazhdueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në shtatëmujorin e parë të vitit 2025, numri i udhëtarëve nga Kosova ka rënë me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme, pasi kosovarët tradicionalisht përbëjnë mbi një të tretën e turistëve “të huaj” që hyjnë në Shqipëri, shkruan Reporter.al.
Ekspertët e shohin këtë rënie si pasojë të faktit që Kosova fitoi të drejtën e udhëtimit pa viza vetëm vitin e kaluar. Kjo ka hapur horizonte të reja për qytetarët kosovarë, të cilët tashmë kanë mundësi të eksplorojnë destinacione të tjera përtej bregdetit shqiptar.
Për vite me radhë, Shqipëria ka qenë zgjedhja e parë për pushimet verore të mijëra familjeve nga Kosova. Megjithatë, liberalizimi i vizave ka nxitur një shpërndarje më të gjerë të turistëve kosovarë në tregjet evropiane, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e vizitave në Shqipëri.
Turizmi i huaj, ritme më të ngadalta rritjeje
Në përgjithësi, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë korrikut shënoi rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo është një frenim i dukshëm krahasuar me vitet 2022 dhe 2023, kur turizmi i huaj kishte regjistruar rritje respektivisht 31% dhe 35%, duke kontribuar në mënyrë të ndjeshme në rritjen ekonomike të vendit.
Edhe pse gjatë periudhës janar–korrik 2025 është shënuar një rritje modeste prej 1.1%, të dhënat e muajit gusht do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një tendencë të re apo për një luhatje të përkohshme.
Tregjet e tjera: rënie dhe rritje të kombinuara
Nga tregjet e Evropës Lindore, situata është mikse. Shqipërinë e vizituan këtë vit rreth 153 mijë polakë, me rënie prej 11% kundrejt një viti më parë, ndërsa vizitorët çekë u rritën me 5% dhe ata hungarezë me 18%. Edhe numri i vizitorëve nga Serbia u rrit ndjeshëm, me 16%.
Këto tregje mbeten të rëndësishme për turizmin shqiptar, pasi konsiderohen si më të ndjeshme ndaj çmimeve krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore, duke zgjedhur shpesh Shqipërinë për shkak të kostos më të ulët në raport me destinacionet rivale si Greqia, Italia apo Spanja.
Shqiptarët udhëtojnë më shumë jashtë vendit
Në të njëjtën kohë, është rritur ndjeshëm numri i shqiptarëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë vendit. Vetëm në muajin korrik, 783 mijë shqiptarë dolën jashtë kufijve, ndërsa për shtatëmujorin e parë të vitit shifra arrin në 4.8 milionë udhëtime – një rritje prej 9% krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, balanca mbetet në favor të turizmit hyrës: për çdo qytetar shqiptar që del nga vendi, hyjnë mesatarisht 2.4 turistë të huaj.
Dilema për shifrat zyrtare
Ndërkohë, në fillim të gushtit, Agjencia për Media dhe Informim publikoi një njoftim sipas të cilit numri i vizitorëve të huaj ishte rritur me 38 mijë. Por shifrat e INSTAT nuk e mbështesin këtë pretendim, duke lënë hapësirë për debat mbi mënyrën se si paraqiten të dhënat zyrtare për turizmin.