Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Forca serbe në Kosovë? Ibishi: S’mund të ndodhë, vendim i duhur shtimi i policëve në veri

Forca serbe në Kosovë? Ibishi: S’mund të ndodhë, vendim i duhur shtimi i policëve në veri

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, e sheh si kërcënim të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës deklaratat e zyrtarëve të Beogradit për dërgimin e 1000 ushtarëve serbë.

Sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë dhe citimi i rezolutës 1244 për të arsyetuar këtë akt është e gjithë keqinterpretim.

Ibishi kërkon që të merren parasysh kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale në katër komunat veriore. Megjithatë, thotë se institucionet e sigurisë duhet të japin vlerësimet e tyre në bazë të analizave në terren.

Ai konsideron se karshi një vendimi për shtyrje apo jo të zgjedhjeve institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme dhe të harmonizojnë qëndrimet me aleatët ndërkombëtarë.

Ibishi: Këshillat e partnerëve për shtyrje të zgjedhjeve të mendohen

“Po duke dëgjuar zërat e zyrtarëve të shteteve që janë me peshë për Kosovën, partnerët tanë që janë të rëndësisë të veçantë që me vite kanë ndihmuar prej çlirimit të Kosovës e deri më tash në mbështetje të Kosovës edhe në fazën e integrimeve dhe ngritjes së kapaciteteve, mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm t’i harmonizojmë qëndrimet. Në një situatë të tillë kur kemi këshilla të mira dhe mundësi zgjedhjeje duhet të mendohet edhe për ata, por krejt kjo do të vijë nga analiza që do të bëjë sektori i sigurisë me inteligjencën dhe jep si propozim që do të shkojë në atë drejtim”, tha Ibishi.

Njohësi i çështjeve të sigurisë thekson se situata në komunat veriore mund të përshkallëzohet.

Në një intervistë, Ibishi deklaron se institucionet e sigurisë në vend kanë kapacitete të mjaftueshme për ta menaxhuar situatën.

Ibishi: Situata në veri mund të tensionohet edhe më tej me dirigjim të Beogradit

“Në këto grupe janë të involvuar edhe ish-policët çka është një e keqe dhe mandej një pamundësi që të shqyrtohet mundësia eventuale për një vendim politik për kthimin e tyre, çka e vështirëson një situatë në të ardhmen. Mendoj që ai rasti që ndodhi me sulmin ndaj patrullës së policisë por edhe ndaj gazetarëve tregon se ka kaluar në një fazë të përkeqësimit të gjendjes përveç atyre sulme në dy qendrat komunale në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Çështja tjetër se institucionet e sektorit të sigurisë kanë ngritur kapacitetet, sidomos Policia e Kosovës me të gjitha kapacitet që ka por edhe EULEX… Mendoj se Policia e Kosovës dhe sektori i sigurisë në përgjithësi në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të sigurisë ka kapacitete, por që realisht gjendja mund të tensionohet me dirigjim të Beogradit, të ekstremistëve që i ka të instaluar në brendi të Kosovës”, thotë Ibishi.

Sa i takon kërcënimit të Serbisë se do t’i dërgojë në Kosovë 1 mijë pjesëtarë të forcës së sigurisë serbe, Nuredin Ibishi thotë se ky shtet po keqinterpreton rezolutën 1244, pasi një gjë e tillë nuk mund të ndodh.

Sipas tij, ky është vetëm një nga kërcënimet e vazhdueshme që shteti serb ia bënë Kosovës.

Ibishi: Dërgimi i ushtarëve serb në veri kërcënim i vazhdueshëm që po i bëhet Kosovës

“Unë kam thënë qysh nga fillimi se situata mund të tensionohet mu për shkak se pala serbe në këtë rast apo vetë presidenti Vuçiq,… po paralajmëron edhe mundësinë që duke keqinterpretuar edhe rezolutën 1244 që kinse për dërgimin e forcave të sigurisë serbe në Kosovë, çka është totalisht anakrone dhe pakuptimtë dhe fare nuk ka të bëjë me atë. Kosova ka ecur përpara prej Marrëveshjes së Kumanovës. Dihet fort mirë që nuk ka asnjë forcë serbe, pa marr parasysh se a është policore apo ushtarake, që tërhiqet prandaj dhe nuk ka kthim prapa. Këto janë vetëm kërcënime të vazhdueshme që i bëhen Kosovën”, theksoi ai.

Ibishi e konsideron vendim të duhur rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ibishi: Shtimi i trupave policore në veri vendim i mirë

“Vendimi është i mirë, sektori i sigurisë punon punën e vetë, duhet të jetë gjendja e rendit dhe qetësisë publike, çështja e luftimit të kriminalitetit kjo në rend të parë për vetë qytetarët që jetojnë aty pa marr parasysh se cilit komunitet i takojnë. Kjo gjithsesi që është e mirë, pra ekstremistët janë prezentë aty të maskuara dhe grupe por realisht kemi forca të mjaftueshme që këta ta kontrollojnë edhe MPB dhe Policia e Kosovës me plan operacional po kryejnë detyrat e veta pa marr parasysh se çfarë do të jenë zhvillimet e mëtejme”, theksoi ai.

Që nga mbrëmë në komunat veriore ku gjatë kësaj jave ndodhen disa shpërthime të shok-bombave e të shtëna janë shtuar patrullimet dhe prezenca policore, ndërsa po mbrëmë nga grupet ekstremiste në atë pjesë të vendit është sulmuar një patrullë policore, ku mbeti i lënduar një polic. Sulme ka pasur edhe ndaj gazetarëve.

Ndërsa, zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore është caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa ato për kuvende komunale më 25 dhjetor.

E para disa ditëve derisa zyrtarët e KQZ bashkë me zyrtarë policorë janë penguar që të hyjnë në ambientet e KKZ-ve në komunat veriore.   /TV Arbëria

 

Powered by WordPress